Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar të gjithë kosovarët që jetojnë në Gjermani që të verifikojnë e korrigjojnë regjistrin e shtetësisë në dokumentet e tyre, e të regjistrohen si kosovarë, pasi deri tash regjistrimi i tyre ishte bërë si shtetas të Serbisë.
Këtë shefi qeveritar e ka quajtur lajm të mirë, që tha se ky ndryshim u bë pas më shumë se 17 vjetësh prej kur kosovarët ishin të detyruar të regjistroheshin si shtetas serb.
“Dje kemi marr një lajm shumë të mirë nga Ambasada në Gjermani. Pas më shumë se 17 vjetësh është arritur zgjidhja me autoritetet përkatëse gjermane lidhur me çështjen e regjistrimit të shtetasve të Kosovës. Shumë prej jush padrejtësisht jeni detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë në dokumentacionin gjerman, një gjë që nga sot nuk do të përsëritet më”, tha Kurti gjatë fjalës së tij në mbledhje të qeverisë.
Ai ka shprehur mirënjohjen për punën që tha se e ka bërë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për MPJD-në, që punoi me përkushtim për të siguruar këtë ndryshim të rëndësishëm e aq të nevojshëm. Falë angazhimit të tyre me kancelarinë federale gjermane dhe ministritë përkatëse, tani është miratuar një udhëzim që siguron që të gjithë qytetarët e Kosovës që të regjistrohen vetëm si shtetas të Republikës së Kosovës. Ky ndryshim ka hyrë në fuqi në të gjitha lëndët gjermane dhe mbi 5 mijë e 200 qendra të Regjistrit Civil”,njoftoi Kurti.
Andaj, ai u tha kosovarëve në Gjermani që për çdo ndihmë apo informacion shtesë, të kontaktojnë Ambasadën në Berlin apo misionet konsullore në këtë shtet, derisa ka falënderuar Gjermaninë që e quajti shtet mik e partner, për eliminimin e këtij problemi.