Në konferencë, Lushaku ka pretenduar se nuk ka vendim të shkruar, por vetëm direktivë politike që të ndalet transformimi i qytetit.

“Komuna ka plotësuar të gjitha kërkesat që i takojnë në procedura administrative për t’i përmbyllur. Është një projekt që rrjedh prej planit të mobilitetit, është shumë e çuditshme se si ky veprim arbitrar ka ndodhur sot nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Fatkeqësisht ky institucion nuk ka nxjerrë fare vendim dhe kjo është shkelje tjetër e këtij institucioni, nuk ka vendim të shkruar ka vetëm direktivë politike që e ndalon transformimin e Prishtinës dhe kjo bëhet pikërisht nga ministri Hajrulla Çeku. Ne nuk do të ndalemi si komunë. Jemi brenda kohës, çdo tentim për bllokim është vetëm bllokim për qytetarët e Prishtinës. I vetmi njoftim është mënyra arbitrare se si është vendosur ajo letra e kuqe aty”, ka thënë Lushaku.

Kurse Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Arbër Sadiku, ka thënë se projekti është në përputhshmëri të plotë me planin rregullues urbanistik të vitit 2005, ku kjo zonë parashihet të kthehet në pedonale “dhe është në përputhshmëri të plotë edhe me planin zhvillimor urban të vitit 2013 ku e sheh komplet aksin “Nënë Tereza” deri te flamuri në hyrje që të kthehet në pedonale”.

Derisa ka vlerësuar se ky projekt nuk cenon asnjë aset të trashëgimisë arkitekturore, ai e ka përmendur kampusin universitar dhe qasjen e veturave në të, duke pretenduar që në asnjë kampus universitar në botë nuk ka qasje për hyrje me vetura.

“Plani i parë më 1970 ka paraparë që komplet Qendrën Universitare ta kthejë në zonë për këmbësorë. Kurrë asnjë plan që është bërë për Prishtinën nuk ka paraparë qasje të makinave në Qendrën Universitare. Sot flitet për tendencë për të hyrë në kampus universitar me makina, për mua është sinqerisht edhe e lodhshme për ta folur sepse nuk e njoh ndonjë kampus universitar në botë ku mund të futesh me makina, natyrisht do të ketë akses për makina të emergjencës që janë të domosdoshme për një moment të caktuar, por në kontekstin se si shfrytëzohet sot, po flasim për mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë arkitekturore, një prej aseteve më të mira është Biblioteka Kombëtare dhe aty sheh makina të parkuara në mënyrën më të egër të mundshme”, është shprehur ai.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Transformimit në kryeqytet, Gëzim Kastrati, ka përmendur disa raste të tjera në të cilat, sipas tij, punohet me standard të dyfishta.

“Kemi objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila po trajtohet apo kemi ndërtime në ndërtesë të asetit të trashëgimisë kulturore, njëjtë po ndodh edhe me objektin e mekanizimit. Projekti “Xhorxh Bush” nuk i atakon, nuk i cenon as objektet e as asetet e trashëgimisë, i çliron ato nga parazitët, ndërtimet dhe keq funksionalizimin e hapësirave publike. Projekti i ka shtatë faza ndërtimi, faza e parë nuk ka nevojë për leje sepse jemi duke intervenuar në infrastrukturë nëntokësore”, është shprehur Kastrati.

Zyrtarët komunalë theksuan se projekti do të vazhdojë sipas planifikimit, duke siguruar që të gjitha procedurat ligjore të respektohen.