Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe Forumit Investiv të 6 Odave të Ballkanit Perëndimor, Lulzim Rafuna, zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanovic, me ç’rast diskutuan për bashkëpunimin mbi agjendat rajonale të përbashkëta brenda Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili synon të nxisë zhvillimin ekonomik në rajon.
Gjatë takimit, të dyja palët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet “WB6 CIF” dhe “RCC” për të avancuar integrimin rajonal, lehtësuar tregtinë dhe zgjeruar mundësitë e bizneseve të Ballkanit Perëndimor në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu, u diskutua iniciativa për përmirësimin e klimës së investimeve dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
“Duke pasur parasysh rolin që “WB6 CIF” dhe “RCC” luajnë në avancimin e agjendave rajonale në fushat e tyre përkatëse, Rafuna dhe Kapetanovic u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin në rezultate konkrete brenda CRM, të cilat do të kenë një ndikim pozitiv në rritjen ekonomike dhe integrimin e rajonit në Tregun e Përbashkët të BE-së”, ka njoftuar OEK- u.