Pas më shumë se tri javësh pushim, Dhomat e Specializuara të Hagës do ta rinisin punën më 24 mars, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Gjykimi do të vazhdojë me dëshmitarët e Prokurorisë së Specializuar, e që parashihen të përfundojnë në javën e parë të prillit.

“Prokuroria e Specializuar do të përfundojë paraqitjen e dëshmitarëve në gjykatë deri më 4 prill, siç u njoftua në konferencën e fundit statusore. Numri i dëshmitarëve ende nuk është bërë publik”.

Pas prokurorisë, para trupit gjykues do të dalin dëshmitarët e mbrojtjes së viktimave, e pas tyre ata të mbrojtjes së të akuzuarve, të cilët nuk kanë dhënë detaje se sa tillë do t’i thërrasin.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se pritjet për këtë gjykatë kanë qenë më të larta për pavarësi dhe paanshmëri.

“Në shumë raste dëshmitarët e prokurorisë në njëfarë mënyre i janë kthyer si kundër argument apo kundër provë ndaj vet prokurorisë që e dëshmon që si duket prokuroria nuk ka qenë në nivel të detyrës dhe nuk ka qenë në gjendje ose t’i përgatis dëshmitarët ose i ka keqkuptuar deklaratat e intervistat e dëshmitarëve gjatë fazave të mëhershme”, tha Miftaraj për RTK-në.

Avokati Ardian Bajraktari thotë se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve nga fillimi ka pasur mungesë të theksuar të transparencës dhe tejzgjatje.

“Kemi pasur jo pak raste involvimi të trupit gjykues me pyetje sugjestive, me pyetje të ndaluara të cilat natyrisht edhe orientuese për dëshmitarët, po ashtu kemi pasur edhe raste kur dëshmitarët me zë dhe figurë kanë thënë që ju lexohen deklaratat të cilat nuk i kanë thënë, të gjitha këto e komprometojnë në masë të konsiderueshme procesin, e bëjnë një proces përveç jo transparent, po edhe të padrejtë e me shkelje jo të pakta ligjore”, theksoi Bajraktari.

Sipas Miftarajt dhe Bajraktarit, ky proces gjyqësor mund të marrë një epilog të shkallës së parë në fund të vitit, përkatësisht në fillim të vitit 2026.