Kurti, në një postim në Facebook, ka shkruar se ndonëse i shtyrë në moshë, Qosja sërish vazhdon të krijoi tingullin e bukur “kur prek shkronjën e re për të krijuar fjalën e fjalisë së fundit”.

“Ngjitja në mendim është thellim. Kështu e kam përshtypjen kur eci përpjetë shkallëve të mbushura me libra. Ky nuk është trillim. Në një shtëpi në Velani, shkallët e kateve brenda, nuk kanë mbajtëse normale. Në vend të parmakëve, ka libra. Nëpër shkallë, mali i librave krijon bibliotekën. Muret nëpër shkallë të mbushura me piktura. I rrëmbyer nga to, duke i ngjitur dy katet, në fund, të shfaqet një tjetër bibliotekë. Nga antikiteti deri te më bashkëkohorët. Nga veprat e humbura të Eskilit deri te gërmat e fundit që një poet i ri, diku në botë sa i bëri varg. Letërsi e histori, filozofi e art, sociologji e shkencë. I humbur në atë hapësirë të mbuluar me libra rreth e përqark, në qoshe të dhomës, përballë dritares, një makinë shkrimi. Në të, ulur një burrë me mjekër të bardhë, syzet e trasha dhe që po shkruan ende. I shtyrë në moshë, ai sërish vazhdon të krijoj tingullin e bukur kur prek shkronjën e re për të krijuar fjalën e fjalisë së fundit. Ky është Akademik Rexhep Qosja, veprimtar e politikan, historian letërsie e kritik letrar, shkrimtar e publicist, kandidati për Çmimin Nobel për Letërsi, e, sot i nderuar me çmimin e veçantë të vendit tonë, “Letërsia Shqipe”, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, shkruan Kurti.

Kryeministri ka renditur një nga një veprat që akademik Rexhep Qosja i ka shkruar ndër vite, të zhanreve historiko-letrare, publicistike, polemike si edhe veprat e përkthyera në gjuhë të huaja.