Inspektorati i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore i ndaloi punimet në Sheshin “Xhorxh Bush”, me arsyetimin se rregullimi i tij prek zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore.
Mirëpo, komuna, edhe pse ka kundërshtuar ndërprerjen e punimeve, ka kërkuar pëlqim nga instituti. Zyrtarët komunalë thonë se presin përgjigje pozitive.
“E kemi kërkuar pëlqimin dhe jemi në pritje të përgjigjes nga instituti për mbrojtjen e monumenteve. Shpresoj që do të kemi një përgjigje pozitive,” ka thënë Gëzim Kastrati, drejtor i transformimit.
Drejtori Kastrati tha se do të kujdesen për ruajtjen e objekteve, për të cilat ka pasur shqetësime se do të preken nga ndërtimi i sheshit.
“Kemi me i ruajtur këto objekte, dhe janë duke u liruar hapësirat përreth, nuk është duke pasur ndërtim brenda hapësirave të rektoratit, objektit të RTK-së,” ka thënë ai.
Ndërtimi i sheshit “Xhorxh Bush” do t’i kushtojë Komunës së Prishtinës 18 milionë euro, por aktualisht punimet janë ndërprerë nga Ministria e Kulturës, respektivisht Inspektorati për Trashëgimi Kulturore.