Sipas njoftimit të Kuvendit, kryekuvendari Konjufca iu uroi mirëseardhje mysafirëve dhe e vlerësoi vizitën e tyre në kuadër të përafrimit dhe rritjes së bashkëpunimit mes institucioneve tona legjislative.

“Ai tha se Republika e Kosovës është mirënjohëse për kontributin e ardhur nga Franca dhe duke e pasur atë shtet aleat me të cilin ndan vlerat dhe qëllimet, Kosova synon të rrisë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin në të gjitha fushat e interesit të përbashkët”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim theksohet se Konjufca i falënderoi mysafirët për bisedën e frytshme dhe tha se Kosova është plotësisht e angazhuar dhe e përkushtuar përballë nevojës së thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të gjithanshëm midis vendeve tona, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së Francës për Kosovën në rrugën tonë të aspiratave zhvillimore dhe të integrimeve ndërkombëtare.