“Nga sot lidhja ime me qytetin dhe universitetin është shumë e madhe, por shumë e madhe është lidhja ime me Kosovën, dhe kjo lidhje do të jetë gjithmonë, kudo, në çdo rrethanë dhe situatë”, deklaroi Begaj.

Ai e vlerësoi këtë titull si një angazhim të vazhdueshëm për të mbrojtur interesat e Kosovës, jo vetëm si president i Shqipërisë, por edhe si qytetar i kombit.

Presidenti shtoi se marrja e këtij titulli ka një domethënie shumë të madhe, duke e lidhur këtë vlerësim me emrin e heroit të njohur të kombit, Kadri Zeka, si një luftëtar dhe patriot i madh për çështjen kombëtare.

“Ky universitet mban emrin e birit të shquar të këtyre trevave, dhe besoj se emri i tij ndriçon rrugën e universitetit, rrugën e brezave të tërë që studiojnë këtu e do të studiojnë”, tha Begaj.

Presidenti Begaj theksoi se ky titull është një nder i jashtëzakonshëm për të, por edhe një përgjegjësi e madhe.

“Ky universitet është më shumë se një hapësirë mësimdhënie, është një institucion ku brezat formësohen dhe ku idetë marrin jetë”, theksoi ai, duke shtuar se vlerësimi i tij është përtej një nderimi personal, por edhe një përgjegjësi e madhe për të mbështetur çdo formë të mundshme atë që ky universitet përfaqëson dhe çdo institucion tjetër shqiptar të arsimit të lartë.

Begaj u nderua në një ceremoni solemne në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Ky titull iu dha në shenjë të falënderimit dhe mirënjohjes për kontributet e tij të jashtëzakonshme në shërbim të kombit, dijes dhe humanizmit.

Rektori i Universitetit, Artan Demaku, theksoi rëndësinë e këtij titulli, duke deklaruar se nuk është vetëm një nderim formal, por një shenjë e thellë respekti për një jetë të tërë përkushtimi dhe profesionalizmi.

“Ky është një vlerësim për një individ që ka dhënë shumë për shërbimin e kombit, duke e bërë misionin e tij një përpjekje të vërtetë njerëzore”, tha Demaku.

Në fjalën e tij, rektori e cilësoi rrugën jetësore të pPresidentit Begaj si një shembull të rrallë të përkushtimit dhe profesionalizmit, duke filluar nga qyteti i Rrogozhinës dhe duke ecur më pas në shkollat e mjekësisë dhe strukturat më të larta të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. “Dijet dhe ndërgjegjja juaj janë udhëhequr për të shërbyer njerëzimit dhe kombit”, shtoi ai.

Rektori nënvizoi gjithashtu kontributin e presidentit Begaj gjatë periudhës më të errët të historisë së Kosovës, kur ai ishte një mbështetje e fuqishme për popullin e Kosovës.

“Në momentet më të vështira të historisë sonë, kur Kosova kishte nevojë për dorën e vëllait, ju ishit aty për të ofruar përkrahje pa kërkuar lavdërime, por me një mision të pastër”, theksoi Demaku.

Tutje, ai e përshkroi Begajn si një udhëheqës të pakrahasueshëm, i cili ka dhënë një kontribut të madh edhe në periudhën pas luftës, duke mbrojtur të drejtat e Kosovës dhe përkrahur zhvillimin e vendit.

“Në kohë paqeje, ju ishit po ashtu pranë Kosovës, përkrahës i pavarësisë dhe forcë e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare,” shtoi ai.

Në fund, Dema theksoi se titulli “Doctor Honoris Causa” është një akt simbolik i nderimit dhe një mesazh për të gjithë studentët e universitetit.

“Sot përmes këtij titulli në ndajmë një vlerësim që shkon përtej akademisë, ne nderojmë një njëri që mishëron virtytet më të larta të një udhëheqësi modern njëri të dijës të karakterit dhe përulësisë. Le të jetë ky një akt, një mesazh për të gjithë studentët tanë, se ja vlen të studiosh, se ja vlen të shërbesh, se ja vlen të jesh i ndershëm i përkushtuar dhe njerëzorë”, tha Demaj.

“President Begaj, ju jeni simboli i asaj që duhet të përfaqësojë elita e kombit, një njeri që ndërton ura dhe mbjell besim”, përfundoi ai.

Rektori Demaku ia dorëzoi Bajram Begajt titullin “Doctor Honoris Causa” në emër të Universitetit “Kadri Zeka”, Senatit Akademik dhe qytetarëve të Gjilanit.