Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Shemsi Syla, mori pjesë në takimin e radhës të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i cili u mbajt në selinë e NATO-s në Bruksel.
Takimi u organizua nga Sekretari i Shtetit për Mbrojtje i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, dhe Ministri Federal i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius. Ky forum mblodhi përfaqësues të lartë të mbrojtjes nga dhjetëra vende partnere për të koordinuar dhe fuqizuar mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën, në përballje me agresionin e vazhdueshëm rus, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Sipas Ministrisë pjesëmarrja e zëvendësministrit Syla në këtë takim riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe, siguri dhe bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe të vlerave të përbashkëta demokratike.