“Në mesin e mijëra zërave të heshtur, një burrë ka gjetur guximin të flasë. Në një shoqëri ku burrat rrallëherë ndihen të sigurt për të treguar plagët e tyre më të thella, ai theu heshtjen jo vetëm për veten, por për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin. Ky njeri është njeriu më i vlefshëm në jetën time, babi. Historia e babit nuk është e vetmja. Lufta nuk njeh rregulla dhe pasojat gjithmonë janë shumë të mëdha, por jetesa dhe shërimi janë shumë më të mëdha se pasojat! Dita e sotme le të jetë një përkujtim që kemi mbijetuar dhe kurrë nuk jemi vetëm”, ka shkruar ajo në Facebook.

Nishori më tej ka falënderuar babanë e saj për mos dorëzimin dhe forcën.

Ramadan Nishori shënoi moment historik, duke u bërë burri i parë që rrëfeu përjetimin e dhunimit seksual në luftën e fundit në Kosovë. Për nder të Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të luftës, ai ka rrëfyer ngjarjen që i ka ndodhur kur ka qenë 22-vjeçar, nga dy policë serb në stacionin e policisë në Drenas.