“Ne presim që qeveria dhe institucionet të krijohen sipas afateve kushtetuese. Ne do të luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve, për aq sa na takon dhe kërkohet nga ne. Këtu përfundon detyra jonë kushtetuese. Kështu që, pak a shumë, këtu jemi. Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot dhe është e gatshme, madje do të punojë fort që Kosova t’i fitonë institucionet dhe të mos shkojë në një krizë parlamentare. Ajo që mund të themi deri më tani është se nuk kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupacion politik,” u shpreh Limaj para medieve pas regjistrimit në Kuvend.

Limaj po ashtu tha se i siguron të gjithë qytetarët e vendit, votuesit, aktivistët që do të punojnë fort në shërbim të vendit do të ngrisim të gjitha ato çështje të cilat ne besojmë që janë në të mirën e Kosovës.

“Do të kemi iniciativa ligjore, do të ballafaqohemi me argumente politike, do të tregojmë shkallë të lartë të pjekurisë tonë politike, do të mundohemi që në parlamentin e Kosovës me ide të freskohet dhe dinamizohet puna e parlamentit të Kosovës. Do të jemi një forcë politike si gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar për interesa nacionale në shërbim të Kosovës. Ne dimë të dallojmë dëshirat, ambiciet personale me aktivitetin politik, me marrëveshjet me takimet, me nevojat e përbashkëta me gjet një gjuhësi të përbashkët, në fund të fundit ky është funksioni i parlamentit. Që të bashkohen forcat politike për ti ofruar një mundësi më të madhe Kosovës në të gjitha planet, zhvillimin ekonomik politik”, tha ai.

Sipas tij Kosovën e presin shumë sfida të mëdha në të gjitha planet edhe politik edhe ekonomik.

“Më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për një ri ecje të fuqishme ekonomike, për një dinamizim të politikës së jashtme, të partneritetit me miqtë, të bashkëpunimit me miqtë, me u kthye Kosova me argumentet e saj fuqishëm, me marr tempon e iniciativën e atyre argumenteve, plasimin e tyre atje ku duhet, pra një dinamizim i ri dhe ne do të japim kontributin tonë”, tha Limaj.