Shkruajnë: Hyzri Salihu & Muhamet Rracaj
1. Lufta hibride si realitet strategjik dhe jo si hipotezë teorike
Analiza e kontekstit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dëshmon qartë se lufta hibride nuk është më një koncept abstrakt, por një realitet i prekshëm dhe sistematik që po përdoret si mjet ndikimi dhe kontrolli nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë.
Kjo luftë ndërthur mjete ushtarake, politike, ekonomike, teknologjike, kulturore dhe psikologjike për të ndikuar në vendimmarrjen politike dhe në strukturat shoqërore të shteteve me stabilitet të brishtë.
Në këtë kontekst, Republika e Kosovës është ndër objektivat kryesorë të këtyre operacioneve.
2. Roli i Serbisë dhe Federatës Ruse në destabilizimin e Republikës së Kosovës
Në qendër të veprimeve destabilizuese qëndrojnë Serbia dhe Federata Ruse, të cilat përdorin strategji të përbashkëta për të penguar konsolidimin e institucioneve demokratike dhe shtetformuese në Republikën e Kosovës, si dhe për të frenuar thellimin e integrimit euroatlantik të saj dhe të Republikës së Shqipërisë.
Republika e Kosovës përballet me një agresion të sofistikuar të karakterit hibrid, ku ndërthuren presioni diplomatik, ndikimi medial, sulmet kibernetike, akte teroriste dhe operacionet psikologjike.
3. Fushatat e dezinformimit dhe lufta për ndërgjegjen kombëtare
Një nga instrumentet më të fuqishme të luftës hibride janë operacionet e dezinformimit dhe ndikimit në opinionin publik.
Këto operacione synojnë krijimin e pasigurisë, mosbesimit ndaj institucioneve shtetërore dhe polarizimin e skajshëm të shoqërisë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë.
Media dhe rrjetet sociale, shpesh të financuara nga qendra të huaja, janë kthyer në fusha lufte informative.
4. Kapacitetet e pamjaftueshme të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë
Përballë një lufte të ndërlikuar hibride, kapacitetet institucionale të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë janë ende të fragmentuara dhe shpesh të politizuara.
Mungesa e koordinimit strategjik dhe e një vizioni të përbashkët e lë hapësirë për ndërhyrje të huaja, dobëson reagimin institucional dhe rrezikon rendin kushtetues e sigurinë kombëtare.
REKOMANDIME PËR POLITIKAT E SIGURISË
1. Hartimi i një Doktrine të Përbashkët për Luftën Hibride
Është emergjente që Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë të hartojnë një Doktrinë të Përbashkët për Luftën Hibride, e cila do të shërbejë si platformë për veprim të koordinuar institucional në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe komunikimit strategjik.
Kjo doktrinë duhet të përfshijë mekanizmat e zbulimit të hershëm, reagimit të shpejtë,
kundër-dezinformimit dhe mbrojtjes kibernetike.
2. Themelimi i një Agjencie të Përbashkët për Inteligjencë dhe Siguri Kibernetike
Propozojmë krijimin e një Agjencie të Inteligjencës dhe Sigurisë Kibernetike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, me seli qendrore në Tiranë dhe degë operative në Prishtinë.
Kjo strukturë duhet të fokusohet në parandalimin e sulmeve hibride, ruajtjen e integritetit të informacionit, analizën strategjike dhe bashkërendimin e operacioneve të sigurisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
3. Integrimi operacional i Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë
Rekomandojmë avancimin e bashkëpunimit ushtarak drejt një komande të përbashkët operacionale, që do të mundësojë shkëmbimin e informacionit, trajnimin e përbashkët dhe përgjigjen e koordinuar ndaj kërcënimeve hibride.
Ky integrim do të forcojë Arkitekturën e Sigurisë Kombëtare dhe do të rrisë aftësinë për mbrojtje kolektive.
4. Reforma arsimore dhe edukimi për sigurinë kombëtare
Është e domosdoshme të përfshihen në sistemin arsimor kurse të detyrueshme për sigurinë kombëtare, luftën hibride dhe dezinformimin, me qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare dhe përgatitjen e brezave të rinj si mbrojtës të sovranitetit. Universitetet në të dy republikat duhet të themelojnë qendra të sigurisë strategjike dhe studimeve të mbrojtjes.
5. Rrjetëzimi i diasporës shqiptare si instrument i sigurisë strategjike
Rekomandohet ndërtimi i një platforme të përbashkët ndërinstitucionale që përfshin diasporën shqiptare në SHBA dhe Evropë, me funksion të drejtpërdrejtë në kundërveprimin ndaj propagandës hibride dhe mbështetjen e qëndrueshmërisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
6. Fuqizimi i medias kombëtare si linjë mbrojtëse e sovranitetit informativ
Shtetet përkatëse duhet të mbështesin median profesionale dhe të pavarur, që ndërton narrativën e qëndrueshme shtetërore dhe shërben si kundërpesha më efikase ndaj propagandës së huaj. Duhet të krijohen njësi të posaçme për analizën dhe kundërshtimin e dezinformimit në bashkëpunim me shoqërinë civile.
Lufta hibride është sfida më e madhe e sigurisë për Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë në dekadat e fundit.
Kjo kërkon një zgjuarsi strategjike, bashkërendim institucional.