“17 prilli, më shumë se një datë në kalendar, është një plagë që nuk mbyllet, një kujtim që djeg edhe pas 26 vjetësh,” ka deklaruar Krasniqi.

Ai kujtoi se në Poklek u vranë dhe u dogjën barbarisht 54 civilë shqiptarë, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar nga familjet Muqolli dhe Elshani, ndërsa në Çikatovë të Vjetër po atë ditë u masakruan 24 civilë të tjerë nga forcat serbe.

“Ishin fëmijë që nuk u zgjuan më, nëna që u dogjën me foshnjat në krah, pleq që u zhdukën pa zë. Një ditë, dy vendbanime, dhjetëra familje të shkatërruara përjetësisht”, shtoi Kryetari Krasniqi.

Kryetari i PDK-së theksoi se edhe pse kanë kaluar 26 vjet nga këto krime, drejtësia ende mungon.

“Ky krim nuk është harruar. Por as nuk është ndëshkuar. Kur drejtësia hesht, përgjegjësia bie mbi ne që kujtojmë – jo vetëm për t’u dhënë zë atyre që nuk kanë më zë, por për të mos lejuar kurrë që e njëjta errësirë të bjerë mbi ne përsëri”.

Po këtë ditë, Kryetari Memli Krasniqi kujtoi edhe dëshmorin e lirisë, Sokol Elshani, i cili ra heroikisht në Krajkovë. Lavdi e përjetshme për dëshmorët dhe martirët e vendit tonë!