Deputetja nga komuniteti boshnjak, Emilia Rexhepi në prag të vazhdimit të seancës konstituive, e cila është paraparë të fillojë në orën 15:00, ka thënë se ajo e jep votën e saj për kryeparlamentar.
“I votojmë krejt”, ka thënë shkurt Emilia Rexhepi kur është pyetur nëse do ta votojnë sot kandidatin për kryeparlamentar.
Ndërkaq, deputetja nga grupi parlamentar i LVV-së, Donika Gërvalla ka thënë se sot janë mbledhur për të vazhduar konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Ajo ka këmbëngulur se pozita e kryeparlamentarit i takon koalicionit fitues.
“Shpresoj që sot të zhbllokohet situata në Kuvend dhe partitë opozitare të respektojnë rregullat demokratike e të kuvendit, e që nuk ka si të jetë ndryshe përveç nga koalicioni fitues. A ka marrëveshje Nisma – LVV? Kur të hyjmë në sallë do ta shihni rezultatin nëse ka apo jo dhe a do të ecim sot përpara apo do të vazhdojnë bllokadat si kjo. Vota për qeverinë do të duhej të ishte ajo tema politike, por ne ende jemi te pjesa fillestare tek konstituimi i Kuvendit. Askujt, as pozitës e as opozitës nuk i konvenon një bllokadë e tillë. Shpresoj se ditët e pushimit të kenë ndikuar që opozita të ketë ardhur me qëllim të zhbllokimit të procesit”, tha Gërvalla.
Ajo ka mohuar se emri i saj të jetë përfshirë në listën e kandidateve për kryeparlamentar.
“Nuk është përmendur në asnjë prej bisedave tona, është spekulim medial”, ka theksuar ajo.