Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë. Ai atje ndodhet me ftesë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneral Metin Gürak.
“Në takimin me Gjeneral Gürak, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve, me fokus në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së, përmes trajnimeve, stërvitjeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Në kuadër të vizitës zyrtare, Gjenerallejtënant Jashari u takua edhe me Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yaşar Güler, ku u rikonfirmua partneriteti strategjik dhe mbështetja e fuqishme e Turqisë për profesionalizimin e FSK-së.
“Në këtë takim u trajtuan gjithashtu çështje si blerjet ushtarake, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe trajnimet e avancuara. Gjatë kësaj vizite, Komandanti i FSK-së vizitoi edhe forcat speciale, zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve dhe industrisë së mbrojtjes, si dhe takoi kadetët e FSK-së që studiojnë në akademitë ushtarake në Turqi”, vazhdon njoftimi.