Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka përcjellë ngushëllime për vdekjen e akademikut dhe ish-kryetarit të Prishtinës, Salih Gashi.
Shefja e shtetit tha se Gashi ishte kontribuues i përkushtuar në Universitetin e Prishtinës, figurë e respektuar në qarqet akademike dhe zë i urtë në jetën institucionale e publike të Kosovës.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Salih Gashit, ish-kryetar i Prishtinës, një personalitet i spikatur në jetën publike dhe institucionale të shtetit tonë. Profesor Gashi i përkiste brezit, i cili me përkushtim, dije dhe integritet ndërtoi ura në mes dijes dhe shoqërisë. Ai ishte kontribuues i përkushtuar në Universitetin e Prishtinës, figurë e respektuar në qarqet akademike dhe zë i urtë në jetën institucionale e publike të Kosovës”, shkroi Osmani.
Presidentja thotë se kontributi i tij në arsim, shkencë dhe shoqëri do të mbetet përherë pjesë e kujtesës kolektive dhe frymëzim për brezat që vijnë.
“Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, komunitetit akademik dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin e të bashkëpunojnë me të. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, thuhet në ngushëllimin e presidentes Osmani për familjen Gashi.