Prokuroria Themelore në Prizren njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, më 21 prill 2025, ka arrestuar të dyshuarin A.H., ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër-arrest vendor dhe ndërkombëtar që nga viti 2021.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndaj të dyshuarit A.H. është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Prizren, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer disa vepra penale.
A.H., në cilësinë e analistit kreditor në një institucion Mikro-Financiar në Prizren, gjatë periudhës 06.10.2016 – 11.12.2019, dyshohet se ka keqpërdorur të dhënat personale të 40 personave duke falsifikuar dokumente për aplikim kredie dhe duke përvetësuar kundërligjshëm shumën prej 150,660.61 euro. Ai dyshohet se i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme pasurore personave të dëmtuar.
Në aktin e tij, Prokuroria thekson se A.H. ka falsifikuar dokumente zyrtare duke nënshkruar në emër të klientëve pa praninë e tyre, si dhe ka mashtruar duke paraqitur fakte të rreme për të përfituar dobi pasurore për vete.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe “Mashtrim”, bazuar në nenet përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.