Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka adresuar kritika të forta ndaj opozitës për qëndrimet dhe sjelljen e tyre kontradiktore gjatë procesit të konstituimit të kuvendit.
Sipas tij opozita po e bllokon procesin, nuk është e gatshme për konsensus dhe as nuk voton. Ai ka thënë se të gjithë deputetët janë përgjegjës për konstituimin e kuvendit dhe kjo nuk është barrë vetëm Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ishim dëshmitarë edhe të një vazhdimi tjetër të seancës konstitutive, ku megjithatë deputetët e Kuvendit dështuan që të konstituojnë Kuvendin, pra që të votojnë për kryesinë e kuvendit, në mënyrë që të hapet rruga e formimit të institucioneve tjera siç është qeveria në këtë rast. Ka disa kundërthënie dhe paradokse lidhur me sjelljen e deputetëve të opozitës”, tha Murati.
Ai iu referua në veçanti deklaratës së deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, për të cilën tha se përfaqëson sjelljen e dyfishtë të opozitës:
“Sapo e dëgjuam deputeten Hykmete Bajrami se duhet marrëveshje politike, duhet konsensus, mirëpo dy minuta më herët po e njëjta tha se ata nuk janë që të bëjnë marrëveshje të tillë dhe s’kanë marrë pjesë as në takimin konsultativ. Pra kjo është sjellja, nëse duam ta përkufizojmë në një fjali, e opozitës aktuale. Pra, janë totalisht të pa interesuar që të konstituojnë Kuvendin, janë të pa interesuar që ta zhbllokojnë procesin. Përkundrazi, edhe bllokojnë edhe nuk duan të hapin rrugë që të tjerët të zhbllokojnë. Me votën e tyre kundër ata po e pamundësojnë konstituimin e kuvendit”, shtoi Murati.
Ai nënvizoi dallimin ndërmjet konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, duke theksuar se kjo e para është një detyrë që i takon të gjithë përfaqësuesve politikë:
“Duhet ta qartësojmë edhe një gjë. Të gjithë pajtohemi se qeveria duhet të formohet nga shumica parlamentare sepse këtë e kërkon Kushtetuta. Praktika e ka treguar se zakonisht fituesi merr partnerë koalicioni nëse ka nevojë, e bën shumicën e nevojshme prej 61 deputetëve, që është minimumi kushtetues dhe vazhdon qeverisjen. Ndërkaq, konstituimi i kuvendit është pluralizëm politik. Pra është shtëpia e përfaqësuesve të popullit, të cilët duhet ta konstituojnë kuvendin dhe po të ishte çfarë po pretendon opozita që barra e formimit të konstituimit të kuvendit i takon vetëm partisë fituese, atëherë do të kishim kryetarin dhe pesë nënkryetarët e partisë fituese. Por faktin që e kemi kryetarin që e propozon partia fituese e pastaj nënkryetarët që përfaqësojnë të gjitha partitë e tjera më të mëdha në vend kjo nënkupton që kemi të bëjmë me pluralizëm demokratik dhe duhet të marrin pjesë në formimin e institucioneve”, nënvizoi Murati.
Në fund, ai theksoi se tashmë po dalin se kanë qenë krejtësisht të pavërteta të gjitha pretendimet që ishin artikuluar më herët nga opozita, sipas të cilëve LVV do të vononte qëllimisht procesin.
“Po e shohim kush po bllokon, po e shohim se po dalin të pavërteta të gjitha pretendimet më herët para se të arrijmë në këtë pikë se gjoja LVV do të refuzoj të propozoj kandidat për të zvarritur procesin. Ja ku e kemi kandidatin, është Albulena Haxhiu, por po e shohim se opozita po bllokon në këtë rast duke mos e votuar”, përfundoi Murati.