Murati shtoi se kundërshtitë më tepër janë taktizime sesa që kemi të bëjmë më ndonjë arsye konkrete. Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit. Pra, ka çdo të drejtë dhe është larg mendsh të thuhet se nuk i plotëson kriteret apo kushtet. Realisht kushtin për çfarëdo pozite brenda kuvendit, sipas Kushtetutës e plotëson çdo deputet. Por, ne kemi propozuar gruan më të votuar në zgjedhjet e fundit dhe besoj se kjo flet se si LVV jemi të përkushtuar që kuvendit t’ia japim një kryetare grua. Ky është propozimi ynë, nuk ka pasur ndryshim dhe nuk do të ndryshojë”, ka thënë Murati.

Tutje ai tha se duhet konsensus politik, duhet dakordim politik i cili mund të arrihet kur të dakordohemi edhe për kandidatë për nënkryetarë. “Ky do të ishte ai kompromisi që po kërkohet sepse nëse insistohet që fituesit të zgjedhjeve t’i përcaktohet kandidati nga subjektet tjera, atëherë pse të mos vlejë i njëjti diskrecion edhe për nënkryetarët”, tha ai.

Ai më tej ka theksuar se vendi ka qeveri, por i mungon kuvendi.

“Vendi ka qeveri në detyrë por megjithatë ka qeveri, çka mungon aktualisht në substancën e shtetit është kuvendi dhe barra bie mbi të gjitha partitë që janë anëtare parlamentare”, tha ai.

Murati deklaroi se LVV nuk ka qëllim të shkojë në zgjedhje.

“Nuk është qëllimi jonë të shkojmë në zgjedhje, ai do të ishte opsioni i fundit për ne, por në fund të ditës megjithatë nëse deputetët e zgjedhur si përfaqësues të popullit refuzojnë të konstituojnë kuvendin atëherë opsioni i fundit mbeten zgjedhjet”, tha Murati.

Ai shtoi se nëse opozita kërkon kandidatë tjetër ajo nuk është zhbllokim i situatës, është kalim në bllokadën e radhës, sepse sipas tij kandidatët për nënkryetarë mund të kontestohen në të njëjtin parim nga LVV.