Presidenti iranian Massoud Pezeshkiyan vizitoi portin më të madh tregtar të Iranit, ku të paktën 28 persona humbën jetën në një shpërthim dhe zjarr, ndërsa më shumë se një mijë u plagosën, sipas të dhënave të fundit.
Shpërthimi dhe zjarri shpërtheu rreth mesditës së djeshme në portin jugor iranian të Shahid Rajai, përmes të cilit kalojnë 85 për qind e të gjitha mallrave në Iran. Zjarri edhe pse është vënë nën kontroll, nuk është shuar plotësisht as sot.
Ky port me rëndësi strategjike ndodhet pranë qytetit të Bandar Abbas, në ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës transportohet një e pesta e naftës në botë. Porti ndodhet rreth një mijë kilometra në jug të Teheranit.
Presidenti Pezeshkian, i cili urdhëroi nisjen e hetimeve për të përcaktuar shkakun e aksidentit, ka mbërritur në port pasditen e sotme, njoftoi televizioni shtetëror.
Drejtori i Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, Pirhossein Kulivand, tha se nga shpërthimi kanë humbur jetën 28 persona, ndërsa 20 persona janë në repartin e kujdesit intensiv. Gjysmëhëna e Kuqe njoftoi gjithashtu se më shumë se një mijë persona janë lënduar.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se në zonën e zjarrit nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë ngarkesë të destinuar për përdorim ushtarak apo lëndë djegëse ushtarake.
Sipas New York Times, e cila citoi një anëtar pa emër të Gardës Revolucionare, shpërthimi u shkaktua nga perklorati i natriumit, një substancë që përdoret për të prodhuar lëndë djegëse të ngurtë raketash.Sipas New York Times, e cila citoi një anëtar pa emër të Gardës Revolucionare, shpërthimi u shkaktua nga perklorati i natriumit, një substancë që përdoret për të prodhuar lëndë djegëse të ngurtë raketash.
Korrespondenti i televizionit shtetëror raportoi mëngjesin e sotëm nga vendi i ngjarjes se zjarri është nën kontroll, por zjarri ende nuk është shuar plotësisht.
Qasja në vendin e aksidentit lejohet vetëm për mediat iraniane, ndërsa avionët dhe helikopterët zjarrfikës janë angazhuar për më shumë se 24 orë pas shpërthimit.
Putini dërgoi menjëherë ndihmë.
Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi dërgimin urgjent të një avioni me ekspertë të Ministrisë së Situatave të Emergjencave për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit , njoftoi ambasada ruse në Iran.
Për shkak të tymit që rridhte përreth zonës, autoritetet iraniane mbyllën shkollat dhe zyrat në Bandar Abbas, një qytet me rreth 650,000 banorë. Në Iran, e diela është ditë pune.
Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa ata që duhet të dalin jashtë u këshilluan të përdorin maska mbrojtëse. Në provincën e Hormozganit, kryeqyteti i së cilës është Bandar Abbas, u shpallën tre ditë zie. Në këtë qytet ndodhet edhe baza kryesore e marinës iraniane.
Ministri i Brendshëm Eskandar Momeni tha për televizionin shtetëror se operacionet e zhdoganimit dhe ngarkimit të kontejnerëve vazhdojnë. Shpërthimi ndodhi në një kohë kur delegacionet iraniane dhe amerikane në Oman po zhvillonin raundin e tretë të negociatave për programin bërthamor të Iranit.