Presidenti amerikan Donald Trump zbuloi të dielën se ai tani e sheh presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si “më të qetë” dhe më të vendosur për të gjetur një rrugë drejt paqes. Ai e bëri njoftimin pas asaj që ai e përshkroi si një takim “të mrekullueshëm” në Vatikan këtë fundjavë
Gjatë bisedës së shkurtër, por domethënëse prej 15 minutash, Zelensky, sipas Trump, bëri një kërkesë të qartë për armë shtesë, ndërsa të dy liderët prekën edhe çështjen e ndjeshme të Krimesë. Trump përmendi një propozim paqeje të SHBA-së që do të parashikonte njohjen e Krimesë si territor rus – një propozim që Zelensky e kishte refuzuar më parë kategorikisht.
Pavarësisht tensioneve që u përshkallëzuan në fillim të këtij viti gjatë një mosmarrëveshjeje televizive, Trump ka hedhur poshtë çdo insinuatë për marrëdhënie të këqija me Zelensky. “Mosmarrëveshja jonë ishte vetëm një pengesë e vogël,” tha Trump, duke shtuar: “Unë e shoh atë si një njeri që është më i qetë tani, që e kupton pamjen më të madhe. Mendoj se ai me të vërtetë dëshiron të bëjë një marrëveshje.”
Duke folur për zhvillimet e mëtejshme të situatës, Trump nuk kurseu fjalët në kurriz të presidentit rus Vladimir Putin. “Putin duhet të tregojë se është serioz”, tha Trump. “Unë dua që ai të ndalojë të shtënat, të ulet në tryezë dhe të nënshkruajë marrëveshjen. Kufijtë e marrëveshjes janë vendosur – tani është koha për ta përfunduar atë, për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për t’u kthyer në jetën normale.”
Nuk e fsheh zhgënjimin
Trump nuk e fshehu zhgënjimin e tij për sulmin e fundit raketor në Kiev, i cili u urdhërua nga presidenti rus Vladimir Putin. Edhe pse shprehu optimizëm pas takimit me Zelensky, ai e bëri të qartë se ruante njëfarë skepticizmi ndaj liderit rus, raporton CNN .
“Mendoj se takimi shkoi mirë, por do ta shohim në ditët në vijim. Ndoshta do të mësojmë shumë më tepër atëherë”, u tha Trump gazetarëve në New Jersey.
“Është koha për të nënshkruar marrëveshjen”
“Ishte e frikshme për mua të shihja raketat duke fluturuar”, tha ai, me sa duket duke aluduar për agresionin e vazhdueshëm pavarësisht bisedimeve për paqe.Trump përsëriti kërkesën e tij të qartë drejtuar Putinit: “Është koha për të ndaluar të shtënat. Është koha për t’u ulur, për të nënshkruar një marrëveshje dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte. Njerëzit duan të vazhdojnë jetën e tyre. Mjaft më”, përfundoi ai.