Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, kryetarin e Mitrovicës Veriore, Erden Atiq e deputetë të Kuvendit, kanë bërë homazhe sot në kujtim të civilëve shqiptarë të vrarë në masakrën e Zhazhës.
“26 vjet më parë forcat policore ekzekutuan civilë shqiptarë të pambrojtur dhe të paarmatosur, në mesin e tyre edhe një të mitur, Fidan Pecin, i cili ishte vetëm 16 vjeç. Kryeministri Kurti dhe ministri Peci, të shoqëruar edhe nga deputetë të Kuvendit, vendosën lule të freskëta te lapidari i ngritur në nderim të viktimave civile dhe katër dëshmorëve të kësaj zone, të rënë në luftën çlirimtare”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit në detyrë.
Pas homazheve në Zhazhë, ata kanë vazhduar në fshatin Boletin në Komunën e Zveçanit, ku vizituan Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe për këtë kompleks të rëndësishëm për popullin shqiptar, kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit e aktiviteteve të rregullta”, bëhet e ditur në njoftim, derisa kanë treguar për shënimin që ka lënë kreu në detyrë i qeverisë në librin e përshtypjeve aty.
“Në Kullat e Isa Boletinit u mësua dhe u mbrojt historia e shqiptarëve por edhe tek ato u bë historia e u lartësuan shqiptarët. Çdo brez duhet të rikthehet këtu që të mësojë, e të mbrojë e të bëjë, që të ecë përpara. Lavdi Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tij”, ka shkruar kryeministri në detyrë Kurti në librin e kujtimeve për Isa Bolentinin.