Bordi i kësaj ndërmarrje ka bërë të ditur se nga janari deri në fund të prillit 2025, borxhi i papaguar i Komunës ndaj KRM “Pastrimi” ka arritur në shumën alarmante prej 2.2 milionë euro për shkak thirrjes publike të Komunës së Prishtinës drejtuar qytetarëve.

“Pavarësisht ofrimit të pandërprerë të shërbimeve, ndërmarrja thekson se nuk ka pranuar asnjë pagesë nga Komuna që prej 1 janarit 2025, çka ka rënduar operacionet ditore dhe ka shkaktuar vështirësi serioze financiare”, thuhet në reagim.

Sipas bordit, situata ka prekur drejtpërdrejt pagat e punëtorëve, shpenzimet për deponimin e mbeturinave dhe furnizimin me derivate për funksionimin e flotës së automjeteve – elemente kyçe për shërbimin ditor.

Paralajmërohet se nga 1 maji 2025, deponia e mbeturinave mund të mbyllet për shkak të pamundësisë për mbulim të kostove, duke vënë në pikëpyetje ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Bordi thekson se thirrjet publike të Komunës për mos pagesë të faturave janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi i Kryeqytetit më 5 dhjetor 2024.

Bordi paralajmëron se, nëse kjo situatë nuk ndryshon, do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, përfshirë dorëzimin e lëndëve përmbarimore dhe paraqitjen e kallëzimeve penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pengim të funksionimit të një shërbimi publik esencial.

KRM “Pastrimi” thekson se mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve të rregullta për qytetarët, por kjo është e pamundur pa përmbushjen e obligimeve financiare nga institucionet komunale.