Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar Transparometrin Komunal 2024, raport ky sipas tyre paraqet vlerësimin e transparencës në 38 komuna të Kosovës.
Aty është folur për rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies nga niveli lokal i qeverisjes. Si sfidë e vazhdueshme sipas këtij raporti është paraqitur qasja në dokumentet publike të komunave.
Menaxherja e projektit, Selvije Kurti, tha se koncepti i komunave të hapura i fuqizon qytetarët dhe rrit nivelin e përgjegjshmërisë së autoriteteve lokale. “Edhe baza ligjore garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike. Duke përmirësuar transparencën, rritet llogaridhënia e autoriteteve lokale, duke mundësuar kështu edhe pjesëmarrje më aktive të qytetarëve në vendimmarrje”, ka thënë ajo.
Sipas saj transparenca nuk është çështje vullneti të lirë, por një detyrim ligjor dhe një formë llogaridhënieje për mënyrën se si po menaxhohen burimet publike.
Si tjetër zhvillim të rëndësishëm gjatë vitit 2024 thuhet se ka qenë paralajmërimi për lansimin e platformave – webfaqeve të reja digjitale komunale, me synimin që ky proces të përfundojë deri në fund të dhjetorit.
Ndërkohë, Besnik Ramadanaj nga KDI ka paraqitur metodologjinë mbi të cilën është hartuar raporti, si dhe ka folur për rezultatet e Transparometrit Komunal 2024.
Sipas tij, vlerësimi mesatar për 38 komunat është 68.34 pikë, nga 62.42 pikë sa ishte në vitin 2023, me një ngritje prej rreth 5 për qind.
“Sipas Transparometrit Komunal 2024, komunat që kanë dalë me performancën më të mirë në transparencë janë: Ferizaj, Gjakova, Lipjani e Prizreni, pasuar nga Drenasi, Klina, Obiliqi e Rahoveci”, ka thënë ai.