“Sot, e kujtojmë me respekt, guximtarin e jashtëzakonshëm dhe udhëheqësin, i cili qëndroi gjithmonë i palëkundur për kauzën për liri e shtet. Si një nga shtyllat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai besoi, luftoi dhe ra për liri”, ka shkruar Osmani në kujtimin e saj për heroin Kodra.

Osmani tutje thotë se në çdo hap të rrugëtimit të tij, Ilaz Kodra ishte më shumë se një komandant, një frymëzim, një simbol i guximit të pakufishëm dhe i sakrificës.

“Me qetësinë dhe forcën që e karakterizonin, ai udhëhoqi radhët e UÇK-së, në fazat e para të organizimit dhe aksioneve luftarake. Por, më 30 prill 1999, heroizmi i tij arriti kulmin, kur ra në betejën e Shtuticës, duke u bërë gardian i përhershëm i lirisë dhe Republikës sonë. Rënia e tij ishte një humbje për të gjithë, por trashëgimia e tij është frymëzim për brezat”, ka shkruar presidentja e shtetit në 26 vjetorin e rënies së Ilaz Kodrës.