Grupi hetimor i plagosjes së katër personave më 17 prill në Lundër, mes të cilëve dy të mitur, ka në total 17 profile ADN-je të ndryshme të gjetura në sendet që dyshohet se u përkasin autorëve.
Burimet e Policisë së Tiranës saktësojnë se nga 17 ADN të përftuara, dy prej tyre janë profile të plota, çka rrit shpresat për hetuesit për zbulimin e identitetit të autorëve.
Megjithatë këto profile mbeten për t’u verifikuar nëse u përkasin apo jo autorëve, edhe përmes krahasimit me të gjitha ADN-të, që laboratori ka në dispozicion nga e shkuara, të personave që janë përfshirë më parë në aktivitete kriminale.
Sendet që janë gjetur pranë vendit ku ndodhi atentati janë pinca, mjete të tjera pune dhe një shall.
Mbrëmjen e 17 prillit, autorët e ndoqën automjetin G Class dhe e qëlluan me breshëri automatiku, ndaj dhe mbetën të plagosur katër persona, dy prej të cilëve u dërguan jashtë vendit për kurim më të specializuar.
Një 17-vjeçar dhe një 11-vjeçar ishin dy të plagosurit me gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa dy të plagosurit e tjerë Arens S., 34 vjeç dhe Kian M., 19 vjeç, u plagosën lehtë.