Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Çështjeve Islame të Mbretërisë së Arabisë Saudite, ka hapur zyrtarisht ekspozitën “Urat” në Prishtinë.
Kjo ekspozitë synon të shpalosë dhe promovojë trashëgiminë e pasur kulturore, fetare dhe historike të Mbretërisë Saudite për publikun kosovar.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete të rëndësishme të jetës politike dhe kulturore të Kosovës, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Kurti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Arabisë Suadite ndaj Kosovës, sidomos gjatë periudhave të vështira, duke e cilësuar si dëshmi të miqësisë së fortë e të sinqertë mes dy vendeve.
Ai theksoi se Kosova dhe Arabia Saudite janë vende partnere, me marrëdhënie dypalëshe që forcohen dhe zgjerohet vazhdimisht në fusha të ndryshme.
“Po punojmë me përkushtim për të afruar më shumë popujt tanë përmes urave të bashkëpunimit në fushat e turizmit, arsimit, ekonomisë dhe kulturës. Gjatë viteve të fundit, mijëra qytetarë nga të dy vendet kanë vizituar njëri-tjetrin për arsye të ndryshme, qoftë për qëllime turizmi, biznesi apo fetare”, u shpreh ai.
Në ekspozitën e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, kryeministri tha se jemi për të njohur e për të avancuar më tej bashkëpunimin tonë dhe gjithashtu kulturën, traditën dhe trashëgiminë e Arabisë Saudite, që po shpaloset edhe me këtë rast, teksa çdo ditë, natyrisht, angazhohemi për të forcuar urat e partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Arabisë Saudite.
“Në vitin e kaluar, në frymën e lehtësimit të këtij shkëmbimi dhe afrimit të mëtejshëm, u nënshkrua marrëveshja për fluturime direkte mes Kosovës dhe Arabisë Saudite, që reflekton nivelin në rritje të bashkëpunimit tonë”, tha ai.
Sipas tij, kjo ekspozitë e hapur për herë të parë në Prishtinë, nuk do mund të kishte emër më përfaqësues për traditën arabe në përgjithësi dhe Mbretërinë e Arabisë Saudite në veçanti, se sa emri i tanishëm, “Urat”.
“Tradita arabe, nëse do të shpreheshim me gjuhën e historianit të madh e arabistit francez të shekullit të kaluar, Fernand Braudel, është ura historike që lidhë antikitetin grek dhe romak me modernitetin global”, theksoi ai.
Kurti përmendi pasurinë e jashtëzakonshme kulturore, e cila përmes llojllojshmërisë së saj në formë të krijimtarisë materiale dhe shpirtërore, përbën një vlerë universale që është çelës për krijim të ndërveprimit shoqëror dhe tejkalim të dallimeve ndërmjet komuniteteve të ndryshme që jetojnë në shtetin tonë.
Ai falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës për organizimin e kësaj ekspozite, e cila, siç tha ai, është një aktivitet i cili na afron më tej me kulturën e Arabisë Saudite.
“Bashkëpunimi i ngushtë me institucione shtetërore, komunitetin fetar, pronarët, artizanët, shoqërinë civile, e në veçanti me shtetet mike të Kosovës, është i një rëndësie të posaçme. Sot, në këtë ekspozitë të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, teksa njoftohemi me vlerat e trashëgimisë kulturore të Mbretërisë së Arabisë Saudite, vlerat e njëri-tjetrit, ne të vërtetë krijojnë ura bashkëpunimi e bashkëveprimi me njëri-tjetrin. Andaj, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia për Bashkësinë Islame të Kosovës, që na sjelli këtë ekspozitë si një aktivitet, i cili na afron më tej me kulturën dhe njohjen me Arabisë Saudite”, u shpreh Kurti.
Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi kulturor
“Ky angazhim pasqyron bashkëpunim e dyja palëve për përforcimin e dy kulturave, për njohjen e vlerave sublime të islamit, inkurajimin e dialogut konstruktiv dhe ndërtimin e urave mes komuniteteve përmes artit”, ka thënë ai.
Ekspozita “Urat” paraqet një pasqyrë të gjerë të traditave të Arabisë Saudite përmes artefakteve kulturore, fotografive historike dhe elementeve të tjera vizuale që ilustrojnë kontributin e këtij shteti në historinë dhe zhvillimin e qytetërimit islam.