Në rrugët e Prishtinës po përdoren vetura inteligjente të Policisë së Kosovës që regjistrojnë në kohë reale shkeljet e rregullave të trafikut. Përmes këtyre pajisjeve janë shqiptuar mijëra gjoba javore për tejkalim shpejtësie, përdorim të telefonit dhe mungesë regjistrimi, ndërsa prania e tyre ka ndikuar edhe në uljen e aksidenteve me fatalitet.
Një veturë e tillë e Policisë së Kosovës nuk është e zakontë. Ajo regjistron automatikisht çdo gabim në trafik përmes pajisjeve inteligjente. Është makinë e pajisura me teknologji të avancuar që synojnë përmirësimin e sigurisë rrugore dhe efikasitetin në identifikimin e kundërvajtjeve në trafik. Por jo vetëm kaq!
Këto vetura regjistrojnë në kohë reale çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, veçanërisht shkeljet më të rënda si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, mungesa e regjistrimit të automjeteve etj.
Naim Vojvoda, nga Njësia e Trafikut Rajonal në Prishtinë, tregoi nga afër mënyrën se si funksionojnë veturat inteligjente.
“Përmes teknologjisë vetura identifikon nëse një veturë nuk ka regjistrim, kur tejkalohet shpejtësia e lejuar”, tha ai.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale në Prishtinë, Basri Shabani, tha se përmes veturës shqiptohen mijëra gjoba në trafik në baza javore. Sipas tij, përdorimi i veturave inteligjente ka ndihmuar dukshëm në rritjen e sigurisë në trafik.
“Gjatë javës së kaluar janë shqiptuar rreth 5 mijë tiketa, 1 mijë tiketa apo kundërvajtje janë të indetifikuar përmes kësaj veture. Më së shumti janë shkelje për tejkalim të shpejtësie, përdorimi i telefonit e që është një nga shkaktarët e aksidenteve në trafikun rrugor. Pastaj për rripin e sigurisë etj..”, tha Shabani.
Përveç ndëshkimeve, prania e veturave inteligjente në rrugë, thotë se ka ndikuar edhe në rritjen e ndërgjegjësimit të ngasësve për respektimin e rregullave të qarkullimit. Ai shtoi se numri i aksidenteve me fatalitet, ka shënuar rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkaq, është shënuar rritje të aktiviteteve të Policisë në terren me qëllim të parandalimit të aksidenteve të trafikut rrugor.