Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Instituti Pedagogjik i Kosovës dhe Fondi për të Drejtën Humanitare mbajtën tryezë me temën: “Ballafaqimi me të kaluarën, dokumentimi dhe kujtesa kolektive”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve hulumtuese dhe ekspertë të fushës së historisë dhe krimeve të luftës.
Teuta Shala Peli, drejtoreshë e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, theksoi rëndësinë e ballafaqimit me të kaluarën përtej arkivave, duke u ndalur në ndikimin që kjo ka në ndërgjegjësimin shoqëror dhe zhvillimin e mëtejshëm të studimeve historike.
“Ballafaqimi me të kaluarën nuk mund të mbetet vetëm çështje e arkivave. Diskutimi që do të zhvillohet pritet të hedhë në dritë dhe të kontribuojë për avancimin e kërkimeve dhe studimin e mëtejshëm dhe për ndërgjegjësimin ndërshoqëror”, tha Shala-Peli.
Arbër Hadri nga Instituti i Historisë, foli për rëndësinë e dokumentimit për ruajtjen e kujtesës kolektive, veçanërisht në një shoqëri të ndikuar nga kriza të mëdha si ajo e Kosovës pas luftës.
“Dokumentimi shndërrohet në mekanizëm kyç në ruajtjen e kujtesës së shoqërisë kolektive. Kujtesa kolektive përbëhet nga një informacion kolektiv, është një konstrukt shoqëror që përcillet ndër breza. Kjo formë e kujtesës cenohet nga ndërprerjet, shtrembërimet apo manipulimet nga shoqëria e përfshirë. Pas luftës Kosova u shfaq si një nga shoqëritë më të shkatërruara në Evropë. Në këtë kontekst, krimet e kryera kundër shqiptarëve të Kosovës kanë qenë thelbësore për ndërtimin e një kujtese kolektive”, tha Hadri.
Atdhe Hetemi nga Instituti për Krimet e Kryera në Kosovë, kritikoi mungesën e një qasjeje gjithëpërfshirëse në dokumentimin e krimeve të luftës dhe pasojat e kësaj mungese në ndërtimin e drejtësisë tranzicionale.
“Ne si shoqëri shqiptare kemi dështuar që ta dokumentojmë me një ideologji gjithëpërfshirëse. Nuk është që kemi pasur një traditë për trajtimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Lufta e fundit në Kosovë është më e dokumentuara. Procesi, kur jemi te vlerësimi i gjendjes aktuale që ka ndodhur në periudhën e pasluftës, institucionet tona nuk kanë arritur që ta bëjnë një mekanizëm për të trajtuar krimet gjatë luftës. Gjendja është më mirë nëse e krahasojmë me boshllëqet që kemi pasur me luftërat paraprake, por jo se si kishte mundur të jetë, për shkak të mungesës së iniciativës së institucioneve për të trajtuar këtë temë”, tha Hetemi.
Bekim Baliqi nga Universiteti i Prishtinës tha se kujtesa kolektive formon identitetin individual dhe shoqëror.
“Ajo çka na kujton nga e kaluara na formon si individ. Kujtesa kolektive luan rol kyç, çfarë e kujtojmë dhe si e kujtojmë. Narrativat e historisë kanë rol të madh në shoqëri. Lufta në Kosovë ishte thelbësore në krijimin e identitetit. Kemi bërë një anketë me 807 të anketuar, e cila kishte qëllim informativ dhe studimor për të parë se si ka ndikuar kjo kujtesë kolektive në kujtimet e luftës. Shumica e të anketuarve kanë treguar se informacionet e luftës i kanë marrë nga prindërit dhe kjo është e rëndësishme, sepse e kanë transmetuar te gjenerata tjetër”, tha Baliqi.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, vlerësoi se bashkëpunimi i mes shoqërisë civile, institucioneve dhe akademisë është hap i rëndësishëm për trajtimin e së kaluarës në edukim.
“Desha ta nënvizoj që është hera e parë që organizatat e shoqërisë civile punojnë ngushtë me institucionet dhe me akademinë. Mendoj që është hapi i parë dhe mundësi për bashkëpunim në të ardhmen, sepse është e rëndësishme që ballafaqimi me të kaluarën të trajtohet në të gjitha fushat e edukimit”, tha Blakaj.
Sekretari shkencor i Institutit Pedagogjik të Kosovës, Murteza Osdautaj, theksoi rëndësinë e përfshirjes së periudhës 1912-1999 në studimet historike për të ndriçuar krimet e kryera ndaj shqiptarëve.
Ai tha se 94 për qind e familjeve në Rrafshin e Dukagjinit kanë prejardhje nga familje që kanë pësuar humbje njerëzore nga pushteti serb dhe se kjo periudhë përmban rrëfime të dhimbshme që kërkojnë trajtim të kujdesshëm shkencor dhe emocional.
“Duhet të përfshihet kjo periudhë në mënyrë që ta qartësojmë tërë atë që e quajmë kujtesë historike për krimet e luftës të bëra kundër shqiptarëve. Një nga faktet që duhet ta kemi parasysh janë shkrimet shkencore. Duhet ta kemi parasysh disa fakte nga studimet që janë bërë. Del se 94 për qind të familjeve aktuale të Rrafshit të Dukagjinit kanë prejardhje nga familjet bazë që kanë së paku një të vrarë nga pushteti serb. Ende janë rrëfime të gjata dhe përbëjnë gjendje emocionale. Duhet të qasemi problemit që nga viti 1912 deri më 1999”, tha Osdautaj.