Në fshatin Rapç të komunës së Dragashit është mbajtur sot një manifestim tradicional që mblodhi disa mijëra qytetarë nga zona. Gjatë këtij tubimi, Policia e Kosovës ka ndaluar një të mitur 17-vjeçar për shkak të një bluze me përmbajtje provokuese.

I riu ishte parë me një bluzë që kishte të shtypur hartën e Kosovës dhe mbishkrimin në cirilik “Dragash, Kosovo i Metohija”, çka ka nxitur reagimin e autoriteteve të sigurisë.

Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“I mituri është arrestuar dhe, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt. Kundër tij është iniciuar procedurë hetimore për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit”, deklaroi Bytyqi.

RTKlive merr vesh se i arrestuari i përket komunitetit goran.