Shkruan: Florim ZEQA
Kryetari i LDK-së, humbësi i zgjedhjeve parlamentare, Lumir Abdixhiku i ekzaltuar nga gëzimi për “suksesin” e arritur në pengimin e formimit të institucioneve shtetërore si dhe i motivuar nga guximi i zbatimit të urdhrave të padronëve (Isës dhe Vjosës) për refuzim të ftesës për koalicion me Albin Kurtin, e filloj fazën e parë konsultative me kryetarët e degëve të LDK-së dhe përgatitjet për Zgjedhjet Lokale 2025!
Zhveshje totale e LDK-së nga filozofia politike rugoviane!
Abdixhiku nuk e fshehu synimin e tij që është i interesuar të identifikoj njerëz me “integritet” (servil), me aftësi të lartë dëgjueshmërie për të kontribuar me dinjitet në shërbim të klanit të tij!
Këtë që e ceka e vërteton ftesa e tij publike, po citoj: “LDK fton të gjithë ata që ndajnë vizionin politik dhe vlerat themelore të njëjta si tonat”, që i bie se të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ai nuk e kanë vendin në LDK dhe as në Republikën e Kosovës!
Fjalia tjetër e tij është edhe më skandaloze, lexo citatin: “LDK mbetet shtëpi e vlerave të qëndrueshme dhe vizionit të qartë për zhvillimin e komunave”!
Për cilat vlera dhe cilin vizion e ka fjalën Lumir Abdixhiku vetëm ai e di!
Por, një gjë po e dimë të gjithë ne që mendojmë ndryshe, që në secilin fjalim dhe postim në rrjetet sociale, Lumirit nuk ia zë goja të përmend emrin e Ibrahim Rugovës dhe as të rugovizmit si filozofi politike!
Citati tjetër akoma më skandaloz i Abdixhikut, “LDK-ja hyn në këtë proces (e ka fjalën për zgjedhjet lokale) me përkushtim të plotë dhe besim të palëkundur në fuqinë e saj përfaqësuese”.
Tregona o Lumir burri, cila na qenka fuqia përfaqësuese e LDK-së në nivelin komunal pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025?!
Të pengosh fillimin e një procesi kaq të rëndësishëm siq është ky i formimit të institucioneve të larta shtetërore dhe kërkesa për hyrje në të njëjtën kohë në një proces më të ulët zgjedhor, përveqse papjekuri, është edhe marrëzi politike!
Deri në këtë situatë paradoksale, njeriun mund ta sjellë vetëm dy gjëra: egoja e pakufishme për pushtet apo paraja e pistë e oligarkëve ekonomik!
LDK nuk është pronë e grupeve të interesit, pra nuk është pronë e Lumir Abdixhikut e Dorsa Kices-Xhelili dhe as e Lutfi Hazirit e Gazmend Muhaxherit, dy tandemë këto që e kanë kapur e ngulfatur deri në palcë partinë e mbetur të Ibrahim Rugovës.
LDK është shtëpia e të gjithë qytetarëve të Kosovës, është shtëpia e themeltarëve, e aktivistëve dhe e veprimtarëve që e kanë mbrojtur me guxim dhe dinjitet, pa asnjë interes personal filozofinë politike rugoviane dhe e kanë ndjekur rrugën e lirisë deri në shtetndërtim!
Mosveprimi juaj sot për krijimin e institucioneve shtetërore, do të jetë pasqyra juaj nesër para qytetarëve në Zgjedhjet Lokale.
Nëse nuk vetëdijesohet elektorati për largimin e uzurpatorëve nga ‘Shtëpia Rugoviane’, atëherë duhet të pajtohen me tre konstatimet e mia përfundimtare të këtij shkrimi të shkurtër analitik:
LDK do të mbetet e hapur për secilin që mendon si Lumiri!
LDK do të mbetet e Lumirit dhe e mercenarëve, por jo e themeltarëve!
LDK do të mbetet dashni (mollë) e ndaluar për të gjithë rugovistët e vërtetë!