Kryeministri Britanik, Keir Starmer, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, e vuri theksin te bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve.
Starmer tha se Britania dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë për prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake, pro pa dhënë më shumë detaje.
“Kam kënaqësinë që të shprehem për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik që do thellojë bashkëpunimin ën fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, do maksimizojë potencialin që ne kemi për investime, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes. Mund të shprehem edhe për deklaratën e përbashkët për bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes, dhe do punojmë sëbashku për prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake”, u shpreh ai.
Si kryeministri i parë britanik që zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, Starmer e konsideroi këtë “privilegj” dhe tregues të “lidhjes së ngushtë” mes dy vendeve. Ai theksoi se në takimin dypalësh me Ramën, u diskutua lidhur me bashkëpunimin për të frenuar emigrimin e paligjshëm, për të cilin Starmer tha se ka qenë i suksesshëm.
“Është privilegj për mua që jam kryeministri i parë i MB që vij këtu për një takim dypalësh. Kjo është diçka madhore sepse përfaqëson lidhjen e ngushtë mes dy vendeve. Urime për fitoren zgjedhore dhe është vërtetë gjë e madhe që jam këtu në Shqipëri për ta hapur atë që unë e shoh si kapitullin radhës në marrëdhëniet e forta mes dy vendeve. Kjo është mundësi për mua për të parë nga afër sesi po punojnë sëbashku dy vendet tona për dy sfidat më të mëdha. Isha në Portin e Durrësit për të parë sesi po goditet migrimi i paligjshëm ndërkombëtar. Kufijtë e sigurt të vendit tonë janë jetike për planin tonë të ndryshimit. Task Forca jonë e përbashkët ka ecur përpara dhe ka funksionuar për të të luftuar emigracionin e paligjshëm”, deklaroi kryeministri britanik.
Për mbajtjen e Samitit të premten në Tiranë, Starmer tha se përçon mesazhin se Europa është e bashkuar. Sipas kryeministrit britanik, “ky është një moment ku shtete europiane duhet të bëjnë qëndresë ndaj agresionit rus në kontinent”.
“Shqipëria është një aleat i fortë i NATO-s. Është mbrojtja e Ukrainës e cila do të vazhdojë të bëhet dhe ne do vazhdojmë të udhëheqim. Ju jam mirënjohës për këtë partneritet të fortë që keni treguar në këtë betejë tonën, duke treguar lidership në të gjithë botën, pra ju nesër do të prisni të gjithë udhëheqësit që do të vijën për komunitetit politik europian dhe duke bërë këtë ne po përçojmë një mesazh të qartë që Europa është e bashkuar, jemi të fortë jashtë nesh, jemi të sigurt brenda në shtëpitë tona, po vendosim paratë aty ku duhet dhe po thellojmë partneritetet tona”, theksoi ai.
Starmer mbërriti sot në Tiranë, ndërsa kjo është hera e parë që një kryeministër britanik vjen në Shqipëri në një vizitë zyrtare.