Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se nuk do të marrë pjesë në bisedimet me Rusinë të planifikuara për të premten dhe shtoi se nuk pret një përparim real në negociatat për luftën në Ukrainë, përderisa presidentët Donald Trump dhe Vladimir Putin nuk takohen “ballë për ballë”.
“Nuk kemi pritje të mëdha për atë që do të ndodhë nesër,” tha Rubio në një deklarim për gazetarët në Antalya të Turqisë, por theksoi se shpreson të gabojë.
Ai konfirmoi se të premten do të takohet me ministrin e jashtëm të Ukrainës dhe një delegacion ukrainas, ndërkohë që në bisedimet me Rusinë do të përfshihet një përfaqësues tjetër nga ekipi amerikan, raporton CNN.
“Ata kanë dërguar një ekip më të nivelit të ulët këtu. Shpresoj që ato bisedime të zhvillohen midis Ukrainës dhe Rusisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve tanë turq dhe dikujt nga ekipi ynë në nivelin përkatës,” u shpreh Rubio.
Ai shtoi se ndodhet në Turqi për shkak të një takimi të NATO-s, por kishte ardhur gjithashtu me pritjen se mund të ndodhte një përfshirje e drejtpërdrejtë mes palës ruse dhe asaj ukrainase.
“Fillimisht, ky ishte plani. Të gjithë keni dëgjuar të njëjtën gjë. Por kjo nuk ndodhi. Ose nëse po ndodh, nuk është në nivelin që kishim shpresuar. Shpresoj të jem gabim,” tha Rubio.
Sipas tij, një përparim i vërtetë nuk do të vijë pa përfshirjen direkte të liderëve kryesorë: “Nuk mendoj se do të kemi një përparim derisa presidenti (Trump) dhe presidenti Putin të përfshihen drejtpërdrejt në këtë temë,” përfundoi ai.
Rubio: Takimi Trump-Putin nuk pritet të caktohet deri pas kthimit të presidentit nga udhëtimi
Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Marco Rubio, deklaroi të enjten se afati për një takim mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin nuk pritet të caktohet derisa Trump të kthehet nga udhëtimi i tij jashtë vendit.
“Për sa i përket kohës së takimit, presidenti do të vendosë për këtë,” tha Rubio gjatë një konference për media.
“Duhet të shohim si do ta operacionalizojmë këtë,” shtoi ai. “Prandaj, me shumë gjasë do të presim derisa të përfundojë udhëtimin, sepse presidenti ndodhet ende jashtë vendit.”
Rubio përmendi gjithashtu se vendimet për afatin dhe vendndodhjen e mundshme të takimit do të merren pas zhvillimeve të ditës së nesërme. “Do të presim të shohim çfarë ndodh nesër, dhe më pas do të merren vendimet për afatin kohor dhe ku e kur mund të ndodhë ky takim,” u shpreh ai.
Në të njëjtën kohë, ai konfirmoi se do të takohet me ministrin e Jashtëm të Turqisë dhe delegacionin ukrainas në Stamboll të premten.