Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se rruga evropiane e Kosovës ka stagnuar, pasi para dy ditësh vendi ynë humbi rastin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, për herë të dytë rresht.
Musliu-Shoshi, në një konferencë për media, theksoi se ky moment kyç që do t’i hapte rrugë forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar u humb, siç tha ajo, për shkak të veprimeve të papërgjegjshme dhe arrogante të Qeverisë Kurti.
“Rruga evropiane e Kosovës jo vetëm që ka stagnuar, ajo ka marrë tatëpjetën. Vetëm para dy ditësh, me keqardhje të madhe, pamë si Kosova humbi edhe një rast të artë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Ju e dini se për vite me radhë është bërë një punë e madhe për anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare”, shtoi ajo.
Deputetja e PDK-së shprehu keqardhje që këto ditë, kur të gjithë liderët evropianë janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar për të ardhmen e kontinentit, Kosovës të gjithë pa përjashtim kanë vendosur t’i vënë sanksione politike.
“Sot, në Tiranë, për herë të dytë me radhë, po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian. E përgëzojmë Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në këto katër vitet e fundit për ta afruar Shqipërinë me Bashkimin Evropian. I urojmë suksese të mëtejshme drejt synimit të përbashkët – Shqipëria në BE deri më 2030”, theksoi Musliu-Shoshi.
Sipas saj, kjo është një katastrofë politike si shkak i një qeverie të dobët, anemike, pa plan dhe pa vizion.
“Kosova po humb qindra milionë euro ndihmë e mbështetje nga Bashkimi Evropian. E gjithë kjo, si pasojë e izolimit ndërkombëtar që i është shkaktuar vendit nga një qeveri që nuk kupton dialogun, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë. Në planin e njohjeve ndërkombëtare, Kosova ka stagnuar plotësisht. Jo vetëm që nuk ka pasur njohje të reja, por nuk ka pasur as përpjekje serioze për to. Ministria e Punëve të Jashtme është kthyer në një sektor të paralizuar nga diletantizmit”, tha ajo.
PDK e konsideron të papranueshme, të jashtëligjshme dhe shpërdorim të votës së qytetarëve bllokadën institucionale.
“Tani jemi dëshmitarë të një situate absurde: më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo qeveri ka marrë peng institucionet e vendit. Ka bllokuar formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së re, duke e çuar vendin drejt një krize të thellë kushtetuese dhe institucionale”, theksoi Musliu-Shoshi.
Ajo tha se është koha që Kosova të ketë një qeveri që punon për qytetarët dhe që është e aftë ta kthejë vendin në binarët e duhur drejt integrimit euroatlantik, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetësisë sonë.