Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se nga muaji shtator do të nisë faza e dytë e zbatimit të modelit të mësimit tërëditor në Kryeqytet. Sipas Ramës, këtë vit do të përfshihen edhe gjashtë shkolla të tjera në këtë model arsimor.
Sipas Ramës, ky model arsimor vendos në qendër mirëqenien dhe përparimin e nxënësve.
Shkollat që do t’i bashkohen këtij modeli janë:
1. “Zenel Hajdini” – Prishtinë
2. “Ditët e Minatorit” – Kishnicë (model i plotë për klasat 1–9)
3. “Ganimete Terbeshi” – Llukar
4. “Pjetër Bogdani” – Prishtinë
5. “Avni Rrustemi” – Mramur
6. “Teuta” – Grashticë
Kryetari Rama ka theksuar se nxënësit në këto shkolla do të përfitojnë nga një program i strukturuar mësimor gjatë gjithë ditës, shujta të ngrohta, ambiente të rinovuara, tabela të mençura si dhe aktivitete të pasura zhvillimore.
“Sot vizituam shkollën ‘Pjetër Bogdani’, një nga institucionet që do të përfshihet në këtë proces. Renovimet janë përfunduar dhe po bëhen përgatitjet finale për fillimin e vitit të ri shkollor me mësim tërëditor,” ka deklaruar Rama.