Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për gjendjen e rënduar me mbeturina në kryeqytet, duke e akuzuar këtë të fundit për keqmenaxhim dhe mungesë përkushtimi ndaj nevojave të qytetarëve.
Në një postim të bërë në rrjete sociale, Hoxha ka vlerësuar se Rama ka dështuar ta kuptojë rolin e tij si udhëheqës i qytetit dhe është fokusuar në ambicie personale, ndërsa sipas saj Prishtina po përballet me probleme të mëdha të pastrimit dhe mirëmbajtjes.
“Përparim Rama një gjë të thjeshtë nuk e ka kuptuar në këto vite në qeverisje. Ai nuk është arkitekti i qytetit. Ai është kryetari prej të cilit pritet të menaxhojë qytetin, të mirëmbajë qytetin, të zhvillojë qytetin dhe t’i zgjidhë problemet e qytetit”, ka shkruar Hoxha.
Duke kritikuar qasjen e Ramës ndaj udhëheqjes së kryeqytetit, Hoxha ka thënë se Prishtina nuk është një “fletë e bardhë” mbi të cilën Rama mund të vizatojë “ëndrrat e tij personale”, por një hapësirë me histori dhe përpjekje të qytetarëve që meritojnë më shumë.
“Qyteti i Prishtinës është vendi ku andrra e përpjekje të qytetarëve të Kosovës kanë shënuar historitë e sukseset edhe në kohët më të vështira. E ai, po i mbytë andrrat e qytetarëve në këtë qytet përditë”, ka shkruar ajo.
Në përfundim të reagimit të saj, deputetja e PDK-së ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kryetarit të Prishtinës: “E ke bo bërllog kryetar. BËRLLOG. Jo veç qytetin e Prishtinës por e ke njollosë edhe respektin për arkitektin”