Mbishkrimi i vendosur në hapësirat e kontejnerëve “Ta mbajmë Prishtinën të pastër” po bëhet vështirë i zbatueshëm në praktikë, si pasojë e situatës së krijuar mes Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë “Pastrimi”.
Qytetarët në kryeqytet ankohen për gjendjen e krijuar me mbeturina, teksa bëjnë thirrje për zgjidhje të situatës.
“Kjo pamje në shekullin 21 më të vërtetë është mjerim. Papastëri, infeksione, epidemi e mos të flasim për imazh të keq. Duhet të bëhet një zgjidhje”, tha një qytetar për RTK-në.
“Po mbledhen mbeturinat, po ju vjen era. Po vijnë sëmundje. Më së keqi është për fëmijë. Ne të tjerët prapë qëndrojmë. Duhet të merren masat që të hiqen me rregull mbeturinat. Ne jemi pagues të rregullt të taksave e çkado që po duhet në komunë”, tha një tjetër qytetar i zhgënjyer me gjendjen që e ka kapluar pothuajse çdo skaj të kryeqytetit.
Kryeshefi i ndërmarrjes publike “Pastrimi”, Petrit Reçica, përmes telefonit, ka përsëritur qëndrimet e tyre, teksa thotë se disa herë kanë kërkuar takim me zyrtarë të Komunës për zgjidhje sa më të shpejtë të situatës.
“Disa here kemi kërkuar takim por nuk janë përgjigjur. Kërkesat tona janë qe pagesat të kryhen në kompani dhe të kryhet boxhi ndaj nesh”, tha ai.
Kurse drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, nuk ka qenë i qasshëm gjatë së shtunës, porse në një intervistë më herët për RTK-në kishte deklaruar se e gjithë kjo gjendje ka ardhur si shkak i keqmenaxhimit të ndërmarrjes “Pastrimi”.