Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka vlerësuar rolin e diasporës shqiptare si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

 

Në një postim në Facebook, pas pjesëmarrjes në Konferencën Ekonomike të Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, Hajdari ka theksuar rëndësinë e kësaj platforme që bashkon qindra biznese shqiptare nga diaspora dhe trojet, duke ndërtuar ura bashkëpunimi për të mirën e përbashkët.

“Diaspora shqiptare si kapital i madh njerëzor, social dhe ekonomik, është një forcë që sjell njohuri, ekspertizë, talent, përkatësisht transferim të dijes, transferim të teknologjisë, rrjetëzime të biznesit dhe burime tjera thelbësore, që janë premtuese për ekonominë e vendit, por edhe për kontribuesit nga Diaspora,” ka theksuar ajo.

Hajdari ka nënvizuar se gjatë këtij mandati qeverisës është rritur mbështetja financiare për sektorin privat dhe janë ndërmarrë reforma të guximshme për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes, përfshirë reduktimin e burokracisë dhe garantimin e të drejtave të barabarta për të gjithë investitorët.

Ajo gjithashtu ka folur për investimet në parqe industriale dhe teknologjike, duke theksuar transformimin e zonave ekonomike të themeluara më parë dhe funksionalizimin e tyre për shërbim ndaj bizneseve vendore, nga diaspora dhe të huaja.

“Me progresin ekonomik, demokratik dhe institucional, Kosova ka përjetuar rritjen ekonomike më të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe pozicionohet shumë mirë si një destinacion i ri, më konkurrues dhe tërheqës për investimet e huaja të drejtpërdrejta (FDI),” ka shkruar Hajdari.

Mes tjerash, ajo ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve nga diaspora dhe atyre vendore, duke e quajtur këtë “një investim për të ardhmen e ndritur të Kosovës”.