PSRK ka ngritur aktakuzë me propozim për shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri ndaj I.P.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, më 03.03.2025, në afërsi të Teqes “Saraçhane” në Prizren, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare.

“Hetimet kanë rezultuar se I.P. e ka grisur dhe e ka shpërndarë në tokë librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin, duke shkaktuar mllef të madh te komuniteti islam dhe duke cenuar bashkëjetesën ndërmjet grupeve me ideologji të ndryshme fetare”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, meqenëse aftësia e tij, në kohën e kryerjes së veprës penale, për të gjykuar dhe kontrolluar veprimet e veta ka qenë e zvogëluar në shkallë esenciale.