Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e para të ditës së djeshme, pas disa orë kërkimesh nga ekipet e kërkim-shpëtimit, dy shtetase të huaja janë gjetur dhe janë shpëtuar në bjeshkët e fshatit Gotovushë.
Policia ka njoftuar se ato janë transportuar menjëherë me autoambulancë në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë. Sipas mjekëve, gjendja e tyre është stabile, përveç një lëndimi të lehtë në këmbë tek njëra prej tyre.
Sipas policisë, dy shtetase të huaja, të cilat po qëndronin në hotelin “Luboteni” në Brezovicë, janë nisur për një ecje malore në bjeshkët e Sharrit.
Gjatë rrugëtimit të tyre, thekson policia, për shkak të kushteve të vështira dhe terrenit të panjohur, ato kanë humbur rrugën.
“Policia Rajonale e Ferizaj, respektivisht Stacioni Policor në Shtërpcë ka pranuar një informatë se dy alpinistet kishin humbur rrugën dhe ndodheshin diku në zonën malore të Sharrit, por pa ditur saktësisht vendndodhjen e tyre”, njofton policia.
Sipas policisë, përmes një audio incizimi, ato kishin treguar gjendjen e tyre të rënduar dhe pamundësinë për të vazhduar më tej.
“Menjëherë, Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke aktivizuar njësitë relevante dhe duke kërkuar ndihmën e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe Shërbimit të Kërkim Shpëtimit Malor të Kosovës”, ka njoftuar policia në Ferizaj.
Tutje theksohet se pas disa orësh kërkimesh intensive dhe përpjekjeve të koordinuara, rreth orës 03:00 të së enjtes, dy shtetaset e huaj janë gjetur në bjeshkët e fshatit Gotovushë.