Derisa sot do të jetë edhe përpjekja e 20-të e deputetëve për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, pas 19 dështimeve qysh nga 15 prilli, 62 organizata në shoqërisë të bëra bashkë kanë reaguar lidhur me bllokadën e krijuar në Kuvend.
Kanë thënë ta kenë përcjellë me shqetësim dështimin e ligjvënësve për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, sikurse edhe sipas tyre refuzimin e udhëheqësve të partive politike për të bashkëpunuar dhe për të hyrë në dialog me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje që do t’i jepte fund krizës.
“Kriza institucionale që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit. Qeveria aktuale, të cilës i ka përfunduar mandati, po vazhdon të veprojë pa mbikëqyrje dhe kontroll parlamentar, situatë kjo e papranueshme për një shtet demokratik”, thuhet tutje në reagim.
Sipas tyre, Kuvendi jofunksional po e pamundëson miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe vendimeve strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke rrezikuar siç thonë, stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në përfaqësim demokratik.
“Bllokada aktuale është duke vonuar e rrezikuar pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së, në kohën kur masat e vendosura nga BE dhe pezullimi pothuajse i tërësishëm i fondeve amerikane kanë reduktuar ndjeshëm mbështetjen financiare për Kosovën”, thuhet tutje në reagimin e 62 organizatave rreth kësaj situate.
Njëzëri kanë thënë se zhvillimet gjeopolitike aktuale kërkojnë përgjegjësi dhe veprime të shpejta nga shtetet demokratike.
U kanë bërë thirrje udhëheqësve partiak që të marrin përgjegjësi dhe të veprojnë menjëherë për tejkalimin e krizës politike.
“Përmes dialogut dhe me fokus te zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarëve, të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës. Mungesa e vullnetit për bashkëpunim dhe përqendrim në interesin e përbashkët është e papranueshme dhe cenon thellë besimin publik në përfaqësimin demokratik”.
Ata kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar kontributin e tyre për tejkalimin e kësaj krize dhe rikthimin, siç kanë thënë, të funksionalitetit demokratik në vend.