Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se nesër, e diele, fillon “Defender Europe 2025”, ushtrimi më i madh ndërkombëtar i drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë.

 

“Forca e Sigurisë së Kosovës pjesëmarrëse në ushtrimin më të madh ndërkombëtar të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë”, shkroi , Maqedonci i cili ka treguar se në këtë ushtrim do të jenë pjesëmarrëse 29 shtete me 25 mijë ushtarë të angazhuar.

Kosova, ka treguar ai, është shtet pritës i Shtabit të Divizionit të 28 të Ushtrisë Amerikane, Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë.

Derisa, për dy javë, Kosova do të jetë nikoqire e këtij ushtrimi ushtarak, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nga e hëna e deri më 9 qershor do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, ka thënë Misitria e Mbrojtjes në prag të nisjes së këtij ushtrimi, më i madhi ndërkombëtar i drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë.