Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar aksion në 14 lokacione në Prizren kundër degradimit të mjedisit, pas një hetimi disa mujorë.
Në aksion janë arrestuar 17 persona të dyshuar, si dhe janë sekuestruar 38 mjete të kryerjes së veprës penale ku përfshihen: 9 kamionë, 14 ekskavator, 15 makineri seperimi, si dhe prova të tjera materiale, ku vlera totale e sekuestrimit është rreth 2 milionë euro.
Sipas njoftimit, të pandehurit në vazhdimësi nga shkurti deri më 4 qershor përreth lumit “Drini i Bardhë” kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit dhe kanë shfrytëzuar “jashtë mase burimet natyrore, duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr”.
Me këto veprime thuhet se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”.
Po ashtu, thuhet se të njëjtit me veprimet e ndërmarra kanë shkatërruar rrjedhën e lumit nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve. Kështu që kanë shkaktuar edhe rrezik të madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor.
Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Njoftohet se gjatë aksionit, njëri nga të pandehurit ka penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrave të punës, andaj ndaj tij bie edhe vepra penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.
Kurse një tjetër nga të pandehurit ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Tutje bëhet e ditur se 17 të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orësh.