Kjo madje sipas Haxhiut, ka qenë edhe bisedë joformale mes subjekteve politike në takimin e një dite më parë që të gjitha partitë u mblodhën në një tryezë me ftesë të presidentes për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve lokale.

“Megjithatë në këtë takim, pa mikrofona në diskutime ndërmjet kryetarëve të partive dhe meje si përfaqësuese e LVV-së  u diskutuan edhe zgjedhjet e parakohshme, sepse është e qartë se mungon vullneti politik për të kontribuar në konstituimin e Kuvendit. PDK ishte dakord që të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme, të paktën po flas për deklarimet e tyre publike, të tjerat subjekte politike nuk u deklaruan për këtë, pra ishte një diskutim joformal në këtë takim”, tha Haxhiu.

E ka përsëritur se emri i kandidatit për të qenë në krye të Kuvendit i takon partisë së parë dhe  se kjo sipas saj, nuk është përgjegjësi e partive të tjera t’ia përcaktojnë fituesit kush është emri i përveçëm.

“Në rrethana të tilla kur sot është bërë seanca e 18-të apo 19-të prej 1 majit, prej  kur ka filluar propozimi për komisionin për votim të fshehtë, nuk po votohet për mua, por për komisionin për votim të fshehtë, por në asnjë prej këtyre seancave nuk kemi parë as minimumin e vullnetit politik për të kontribuar në konstituimin e Kuvendit”, tha ajo.