Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 20:45 kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
Kjo do jetë ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me kuqezinjtë që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë.
Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e sotme është debutuese për ta në këtë grup.
Me Anglinë që shihet si favorite për vendin e parë, Shqipëria dhe Serbia duhet të garojnë për vendin e dytë që të dërgon në play-off për një shans bilete në finalet e Botërorit 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Kuqezinjtë do të duhet patjetër të marrin një fitore kundër Serbisë nëse duam të jemi për herë të parë në një Kupë Bote dhe sot është shansi i madh.
108.55 milionë euro vlejnë në treg futbollistët e Shqipërisë që Sylvinho ka të gatshëm në këtë grumbullim. Më i shtrenjti është Asllani, i cili luan me Interin në Itali me 15 milionë euro në ‘Transfermarkt’, ndjekur nga Broja me 12 milionë euro, Muçi me 11 milionë euro, Gjimshitit me 8 milionë euro dhe Ismajli dhe Nedim Bajrami me 6 milionë euro.
Nga ana tjetër Serbia vlen 245.9 milionë euro sipas ‘Transfermarkt’, pra më shumë se dyfishi i vlerës së Shqipërisë. Emra si Milenkoviҫ, Pavloviҫ, Samardziҫ, Mitroviҫ apo edhe Vlahoviҫ janë yje në Serie A dhe jo vetëm.
Në përditësimin e fundit, Shqipëria mban renditjen e 66-të në FIFA, ndërsa Serbia ndodhet në pozitën e 31-të.
Për këtë sfidë, janë marrë të gjitha masat e e sigurisë me 2 mijë forca policore, anti-dronë, qen kontrollues, kamera inteligjente, patrullime; si edhe bileta të personalizuara.
Skuadra serbe mbërriti në Tiranë pas mesditës më 6 qershor dhe gjatë gjthë qëndrimit në Tiranë do të ketë një trupë sigurie nga Policia e Shtetit dhe forcat speciale RENEA, për të shmangur çdo incident të mundshëm apo shfaqje të pakëndshme jashtë futbollit.
UEFA ka vlerësuar maksimalisht këtë duel duke ia besuar gjykimin një trupe nga Italia me kryesor arbitrin Davide Massa. Si një ndër më të vlerësuarit në Serie A, Massa do ketë ndihmën e Filippo Melit dhe Ciro Carbones, ndërsa arbitër i katërt do jetë Fabio Maresca. Në VAR do jenë Aleandro Di Paolo me ndihmës Daniele Doveri.
Kryesori Massa e ka gjykuar vetëm në një rast Kombëtaren shqiptare. Në datën 16 nëntor 2015 ai vendosi drejtësi në miqësoren midis Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, e cila përfundoi me rezultatin 2-2 në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë.
22 mijë zemra kuqezi do të jenë sot në ‘Arenën Kombëtare’ dhe miliona të tjerë kudo ku ka shqiptarë, teksa tifozët kuqezinj kanë mbushur Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.
Më shumë se 200 mijë ishte numri i kërkesave për të hyrë në stadium, ndërsa në rast të një tri pikëshi për tanët, e sigurt është se Tirana dhe jo vetëm do e gdhijë me festë.
FIFA ka dënuar ekipin tonë pas ndeshjen kundër Moldavisë dhe një pjesë e tribunave pas porte (20 përqind) do mbushet me tifozë të përzgjedhur në luftën kundër diskriminimit. Kujtojmë se në këtë përballje nuk do ketë tifozë serbë në stadium, kjo pasi ata janë të dënuar nga FIFA për ndeshjen e radhës në udhëtim, duel që përkoi ky i Tiranës.
Portieri Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti do e ndjekin sfidën kundër Serbisë nga shkallët e stadiumit “Arena Kombëtare”.
Në bazë të rregullave të UEFA-s, trajneri Sylvinho do ketë të gatshëm 23 futbollistë për sfidën e sotme, teksa emrat më sipër janë të sakrifikuarit, duke qenë se braziliani grumbulloi 27 futbollistë për dy sfidat e qershorit, atë sot kundër Serbisë në Tiranë dhe pas tri ditësh përballjen në Letoni./ATSH
/a.f/