ZKA-ja ka treguar se nga këto auditime janë dhënë 16 opinione të modifikuara – kualifikuara për: Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimin Rural, atë për Komunitete dhe Kthim, Ministrinë për Zhvillim Rajonal, Komunën e Suharekës, të Ranillugit, Podujevës, Shtërpcës, Zveçanit, Gjakovës, Fushë Kosovës, Vitisë, Lipjanit, Kaçanikut, Mitrovicës së Jugut si dhe Komunën e Gllogovcit.

“Në kualifikim të opinioneve kryesisht kanë ndikuar: mbivlerësimi/nënvlerësimi i pasurive; prezantimi jo i saktë i llogarive të arkëtueshme dhe detyrimeve kontigjente si dhe klasifikimi joadekuat i shpenzimeve” kanë treguar nga ky institucion auditues në vend.

Ndërsa, bëjnë të ditur se pesë opinione të pamodifikuara janë dhënë për: Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Shëndetësisë, të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe Komunën e Klinës.

ZKA-ja thotë se auditimi ka vlerësuar gjithashtu edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve, operacioneve të këtyre organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, ku kanë thënë se janë evidentuar një sërë parregullsish në menaxhimin financiar dhe të kontrollit të cilat përsëriten nga viti në vit.

Ndër çështjet kryesore të identifikuara nga ZKA-ja janë:

Pasaktësia në prezantimin e detyrimeve kontigjente dhe obligimeve në PVF

Mos mbyllja e investimeve në vijim dhe regjistrimi i tyre si pasuri në përdorim

Mangësi në regjistrat e pasurive

Klasifikim jo adekuat i shpenzimeve

Hyrja në obligime kontraktuale pa fonde të mjaftueshme

Mangësi në përcaktimin e specifikave teknike nga njësitë kërkuese

Vonesa në vlerësimin e tenderëve dhe në realizimin e punimeve

Lidhja e kontratave me operatorët ekonomik pa i plotësuar kriteret

Lidhja e kontratave pa projekte ekzekutive

Mos përdorimi i modulit në sistemin e-prokurimi, për menaxhimin e kontratave dhe vlerësimit të performancës së kontraktuesve

Nivel i ulët i inspektimit të pronave të paluajtshme

Vonesa në realizimin e pagesave për grante

Vonesa në mbylljen e avanceve dhe në kryerjen obligimeve të papaguara

Vonesa në arsyetimin e subvencioneve

Mangësi në proceset rekrutuese

Mbajtja e pozitave të rregullta me ushtrues detyre më gjatë se afati i paraparë ligjor

Mos përmbushja e planit vjetor të auditimit të brendshëm.

Kanë thënë se për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe kontrollin e brendshëm, ZKA-ja ka dhënë rekomandime përkatëse, zbatimi i së cilave, sipas tyre, i kontribuon përmirësimit të proceseve, menaxhimit më të mirë të financave publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.