Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, Sh.L., D.L., A.K., dhe K.Z., për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, në bashkëkryerje, sipas nenit 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 7 nëntor 2024, rreth orës 19:00, në një shtëpi në Prizren që përdorej nga i pandehuri D.L., të pandehurit janë kapur në flagrancë duke poseduar dhe paketuar substanca narkotike me qëllim shitjeje dhe shpërndarjeje.
Gjatë bastisjes, policia ka sekuestruar:
11 qese me kokainë (3.69 gram) – të gjetura në hyrje të shtëpisë dhe trupin e D.L.;
35 qese me marihuanë (900 gram) dhe sasi të tjera shtesë në total 989.72 gram;
3 qese me kokainë (0.71 gram);
20 tableta të llojit Xanax – Alprazolam 0.5 mg;
Pajisje për përgatitjen dhe paketimin e drogës: qese najloni, peshore digjitale, tre “grindera” me mbetje marihuane.
Në katin e dytë të shtëpisë janë gjetur të pandehurit Sh.L., A.K., K.Z. dhe një i mitur duke paketuar drogë.
Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.