Rashiq ka theksuar se përdorimi i simboleve të tyre nga serbët “nuk përbën kërcënim ndaj identitetit të askujt, por është dëshmi e përkushtimit të Kosovës si një shoqëri demokratike e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”.

“Në përputhje me Kushtetutën aktuale të Republikës së Kosovës dhe legjislacionin përkatës, ne i kujtojmë publikut dhe të gjitha institucioneve përkatëse të drejtat e garantuara të komunitetit serb kur bëhet fjalë për përdorimin e simboleve të tij kombëtare – duke përfshirë flamurin, stemën, gjuhën, shkrimin dhe simbolet e tjera të identitetit. Sipas nenit 58 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet qartë se të gjitha komunitetet dhe anëtarët e tyre kanë të drejtë të “ruajnë, të mbrojnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre”. Kjo përfshin të drejtën për të ruajtur gjuhën, fenë, traditat dhe simbolet”, ka thënë ai.

Rashiq u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të respektojnë plotësisht garancitë kushtetuese dhe ligjore, me qëllim që të sigurohet zbatimi konsistent i këtyre të drejtave në praktikë, pa presion politik, diskriminim apo pengesa administrative.

 

“Respektimi i të drejtës së komunitetit serb për të përdorur simbolet e tij nuk përbën kërcënim për identitetin e askujt, por përkundrazi është një konfirmim i angazhimit të Kosovës për të qenë një shoqëri demokratike e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, ka thënë

Rashqi ka theksuar se një gjykatë në Kosovë nuk ka të drejtë të ndalojë në thelb përdorimin e flamurit ose simboleve të tjera kombëtare të komunitetit serb, pasi kjo do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të cilat garantojnë këto të drejta.

Kjo deklaratë e Rashiqit erdhi pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për të anuluar vendimin e Komunës së Graçanicës, e cila kishte lejuar shfaqjen e flamurit të Serbisë për nder të Vidovdanit më 2024.

Në arsyetimin e gjykatës thuhet se komuna ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka vepruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës, pasi ka miratuar një vendim për shfaqjen e flamurit të Serbisë më 28 qershor – ditë që nuk është e përcaktuar si festë zyrtare në Kosovë.

“Lejimi i shfaqjes së flamurit të një shteti tjetër [në këtë rast Serbisë], përveç rasteve të parashikuara me ligj, mund të kuptohet si një akt simbolik i sovranitetit të dyfishtë ose i vetëorganizimit politik, gjë që bie ndesh me rendin kushtetues”, u tha në vendimin e gjykatës.

Gjykata gjithashtu theksoi se vendimi i Komunës së Graçanicës “rrezikon rëndë rendin dhe qetësinë publike si dhe bashkëjetesën në Kosovë”, veçanërisht në kontekstin e ndjeshmërisë etnike dhe politike.

Komuna e Graçanicës, e udhëhequr nga Ljiljana Shubariq nga radhët e Listës Serbe, ka paralajmëruar se do ta apelojë vendimin e Themelores.