“Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili kërkonte publicitet, gabimisht tha se unë u largova nga Samiti i G7-ës në Kanada për t’u kthyer në Uashington për të punuar për një ‘armëpushim’ midis Izraelit dhe Iranit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“Gabim! Ai nuk e ka idenë pse jam tani duke shkuar në Uashington, por sigurisht që nuk ka të bëjë fare me një armëpushim. Shumë më tepër se kaq. Qoftë me qëllim apo jo, Emmanueli gjithmonë gabon. Qëndroni në kontakt!”

Macron kishte sugjeruar që Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme të bënin një hapje diplomatike ndaj Iranit.

“U bë një ofertë për një takim dhe një shkëmbim mendimesh”, u tha Macron gazetarëve në prag të samitit të G7.

“Nëse Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë një armëpushim, kjo është një gjë shumë e mirë”, tha presidenti francez.

Trump u largua nga takimi i G7 një ditë më parë, ndërsa aleati i SHBA-së, Izraeli, dhe Irani shkëmbyen zjarr për të pestën ditë radhazi.

Udhëheqësit e demokracive industriale bënë thirrje të hënën për “ulje të tensioneve” në Lindjen e Mesme duke filluar me konfliktin Izrael-Iran, duke theksuar se Izraeli “ka të drejtë të mbrohet” dhe se civilët duhen mbrojtur nga të dyja palët.

Në një foto në grup me udhëheqësit e tjerë të G7 para nisjes së tij, Trump tha: “Duhet të kthehem sa më shpejt të jetë e mundur. Do të doja të qëndroja edhe nesër, por ata e kuptojnë se kjo është një çështje e rëndësishme.”