Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se në bashkëpunim me Hetuesit e Doganës së Kosovës ka realizuar një aksion, gjatë të cilit është arrestuar një person i dyshuar për vepra penale.
Sipas njoftimit zyrtar, “është arrestuar një person i dyshuar për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ bazuar në nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Përvetësim në detyrë’ në bazë të nenit 418 të KPRK-së.”
Tutje bëhet e ditur se, “personi i dyshuar është ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit për një periudhë prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.”
Prokuroria Themelore në Prishtinë rithekson përkushtimin për ndjekjen e veprave penale, duke theksuar se “mbetet e përkushtuar në ndjekjen e veprave penale, duke vepruar në mënyrë të intensifikuar me qëllim të mbrojtjes së rendit dhe interesit publik.”